Botërori i Katarit ka shumë të veçanta nga kompeticionet e tjera që janë zhvilluar më herët. Vetë fakti se po zhvillohet në këtë periudhë të dimrit dhe jo në verë, është padyshim një veçanti që e dallon nga të tjerat. Por kjo nuk sjell vetëm impenjime shtesë, jashtë programit, por njëkohësisht edhe anë pozitive. Ish-futbollisti i Shqipërisë, Ilir Alliu, ishte i ftuar në emisionin “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News”. Alliu kishte një argument që nuk është prekur shpesh se pse Europa do të shkëlqejë në Katar.
“Është koha më e përshtatshme që anglezët “të kafshojnë”(i referohet fitores 6-2 ndaj Iran). I kanë dhëmbët e duhur dhe kohën e duhur. Futbollistët e kampionatit anglez, nga të gjitha kampionatet europiane, vijnë në kulmin e formës së tyre pasi vijnë nga faza përgatitore dhe 10 ndeshje të luajtura. Ky si këndvështrim është i tillë, të gjitha ekipet e Europës do të jenë në formën maksimale. Nuk do të kenë më lodhjen e një sezoni mbi kurriz dhe të kenë atë lodhjen mbi shpatulla. Do të shijojmë një futboll të bukur nga Europa”, tha Alliu./ Sport Ekspres/