Sinan Idrizi do të largohet nga Flamurtari në datën 31 korrik dhe nëse do të afrohet dikush tjetër tek vlonjatët. I ftuar në “E diell Proces”, administratori i klubit ka thënë se do t’i jap mundësinë të tjerëve që të paraqesin ofertën e tyre.
Në rast se do të ketë një të interesuar për të marrë Flamurtarin, atëherë rruga do të hapet menjëherë. Gjithashtu Idrizi i bën thirrje Shpëtim Gjikës që të afrohet në klub dhe që të mbyll disa nga borxhet e mbetura nga e kaluara. Në këtë mënyrë skuadra nuk do të ketë më asnjë barrë financiare të mbartur dhe kështu mund të afrohen më tepër njerëzit që janë të interesuar për të marrë kryesinë e klubit.
“Unë kam votuar për të paktën 4 çështje kundër në Asamblenë e Futbollit. Kam votuar kundër edhe për një anëtar të PD që ka hyrë në futboll, Alibeaj, që është një apandesit i tepër për ne. Nuk dua që të bëj opozitarin, por është një gjë që nuk më pëlqen.
Flamurtari i këtij sezoni? Në rastin konkret unë jam një dështak, kam dështuar në sezonin aktual dhe e kam pranuar. Por nga ana tjetër dua të provoj veten në kushtet e një administrimi tjetër. Sot Flamurtari nuk administrohet nga një biznesmen, por nga një deficient i vetëdijshëm që e ka kthyer veten në një bankomat të prishur.
Deri në 31 korrik kam marrë obligimin që të zerojë të gjitha borxhet e Flamurtarit. E përsëris dhe i bëj thirrje mikut tim të nderuar Shpëtim Gjika që të vijë dhe të shlyejë ato dy kompani që ka bllokuar me foton e Flamurtarit dhe që të kemi mundësinë për të zeruar borxhet. Unë dua që në datën 31 korrik të mos i lërë atij tjetrit, pasardhësit, nëse do të jetë më i mirë se mua dhe nëse unë nuk do të vazhdoj, që të mos i lë borxhe barrë.
Shiko, unë nuk kam qenë kurrë presidenti i Flamurtarit, por administrator. Mua në datën 31 korrik më mbaron kontrata dhe nuk do të jap asnjë ofertë, por do të zerojë të gjithë borxhet dhe problemet financiare. Do të pres që të japin ofertën ata zotërinjtë që janë ç’jerrë dhe e bëjnë më mirë nga mua këtë punë. Një gjë është e sigurt, që oferta ime do të jetë e fundit që do të jepet. Nëse nuk do futet dikush tjetër, atëherë do të hyjë unë. Të presim njëherë ata që do të mbledhin nga 1 dollarë rrugëve të Vlorës, nga ata që flasin nga cepat e botës. Nëse do të jetë dikush tjetër që do të hyj, atëherë unë nuk jap ofertë”, tha Idrizi. /Sport Ekspres/