Arijanet Muriç pritet të ndërrojë sërish ambient këtë merkato. Portieri shqiptar është në pronësi të Manchester City-t, por është lënë në huazim nga klubi për të fituar më tepër minuta dhe eksperiencë. Megjithatë aventura e fundit te Nottingham Forest në Championship rezultoi një dështim për Muriç, që është aktivizuar në vetëm 5 takime.
Mirëpo kjo nuk i ka ndaluar interesimet në drejtim të tij. Këtë herë destinacioni i tij e kapërcen ishullin britanik, teksa gardiani i Kosovës pëlqehet në Spanjë. “Mundo Deportivo” bën me dije se Girona është në bisedime me Manchester City-n për të huazuar portierin shqiptar për sezonin e ardhshëm. Klubi spanjoll luan në La Liga 2, por është një nga ekipet pretendente për të siguruar një biletë në elitë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/