Kur Zhoze Murinjo bën zgjedhjen e duhur, mund të vijnë fitore si ajo ndaj Liverpulit fundjavën e shkuar dhe ai ngjan si magjistar. Megjithatë, trajneri i Mançester Junajtid do të detyrohet të durojë pyetje pa fund se pse preferoi të luante me Felainin nga minuta e parë dhe të linte në stol Pogbanë, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit deri tani, me Seviljen që triumfoi në “Old Trafford”. Felaini nuk luante nga minuta e parë prej thuajse 4 muajsh, për shkak të një dëmtimi në gju, por u zgjodh nga Murinjo para Pogbasë, i cili në stërvitjen e së hënës kishte marrë pjesë, edhe pse jo me kohë të plotë. Rezultati ishte një dështim total, ndërkohë që Uisam Ben Jeder u fut në pjesën e dytë dhe ndryshoi fatet e sfidës, duke i dhënë fitoren Seviljes guximtare.
Kur Ben Jeder shënoi golin e parë për miqtë, Pogba kishte marrë vendin e Felainit, por dëmi ishte bërë me kohë. Dyshja Matiç-Felaini në mesfushë ishte qartësisht inferiore dhe tepër e ngathët për mesfushën plot fantazi të Seviljes, ndërkohë që forca e Felainit në ajër nuk u nevojit asnjëherë, sepse Sevilja ka tjetër mënyrë loje dhe në sulm Junajtid nuk është se shkoi shpesh. Murnjo gaboi edhe në vendosjen e mesfushorëve ofensivë, me Markus Rashford që ishte izoluar në të djathtë, për të lënë më shumë hapësira për Sançez. Kur Ben Jeder shënoi për Seviljen, zor se u befasua ndokush, duke parë sa keq po luante Junajtid, që ka pësuar humbjen e parë shtëpiake në Champions në 4 vitet e fundit, pas fazës së grupeve.
Si dreqin ia doli Sevilja, që nuk është as mes 4 skuadrave të kreut në Spanjë, që të dominonte në Angli? Faji i Murinjos dhe i zgjedhjeve të tij të rrezikshme e të gabuara, por sido që të shkonte, Junajtid këtë vit nuk është dukur asnjëherë skuadër e aftë të fitojë në Champions League. Murinjo tashmë duhet të japë shpjegime jo për arsyen e mungesës së triumfit në Champions, sepse trofeu ishte i paarritshëm me lojën e tij, por duhet të përgjigjet pse skuadra e tij ishte aq e shëmtuar në mbrëmjen më të rëndësishme të sezonit.