Në ndeshjen ku udhëhoqi Francën në triumfin ndaj Argjentinës dhe drejt çerekfinaleve, Didë Deshamp vendosi edhe rekordin si trajneri më jetëgjatë në stolin e “gjelave”. Ajo ishte ndeshja e 80-të për ish-mesfushorin e Juventusit dhe Çelsit, që kaloi primatin e mëparshëm të vendosur nga Rajmond Domenek.
Ky i fundit qëndroi në stolin e Francës për 79 ndeshje, nga viti 2004 deri më 2010 dhe arriti ti kualifikonte “blutë” deri në finalen e Botërorit 2006. Por tashmë Deshamp, që u emërua në krye të stolit në vitin 2012 ka arritur ti marrë kreun.
49-vjeçari ka bërë një punë mjaft të mirë në krye të Francës, ndërsa me 62 për qind të ndeshjeve të fituara, pozicionohet mes tre trajnerëve më të suksesshëm në historinë e ekipit. Gaston Barru i ka drejtuar “gjelat” në 124 ndeshje ndërmjet viteve 1919-1945, por në atë periudhë posti nuk ishte “zyrtar” dhe përfshin edhe ndeshje të Lojërave Olimpike.