Dervishi: Lojtarët nuk janë fajtorë për gjithçka, Partizani të mos mendojë për Skënderbeun

Ish-drejtori: Duhet rinovuar me Bathën, Kalarin dhe Fejzullahin. 4 afrime të mira. Cenolli është menaxher shumë i mirë, por drejtori sportiv ka detyra të tjera

Ish-drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, u rikthye të flasë në lidhje me ekipin e Partizanit dhe sezonin që lamë pas, në një intervistë për “Sport Ekspres”. Ai ndodhet në Itali i angazhuar me ekipin e Hellas Veronës, por i përgjigjet pozitivisht ftesës sa herë i kërkohet të flasë për “demat” dhe situatën e tyre në kampionat. Ish-zyrtari i Partizanit dhe Kukësit nuk nguron të flasë për ndryshimet e fundit te kryeqytetasit, por dhe në lidhje me fatet e kampionatit. Ai ka një mendim interesant, pasi mendon se skuadra e Laçit e meritonte Kupën e Shqipërisë, ndërsa Skënderbeu meritonte titullin kampion. Gjyqtarët? Kanë ndikuar dhe disa nuk duhet të drejtojnë më.  
– Si i shihni ndryshimet e fundit te Partizani? Preiti u largua zyrtarisht, Dalipi pranë largimit…
– Pse çfarë bëri të mirë Antonelo Preiti te Partizani? Merkaton apo grupin? Për mendimin tim qëndroi më shumë se duhej. Dalipi nuk arriti objektivat e vendosura nga klubi dhe nga ai vetë. E drejtë që të largohet, pasi tani është gati për ndonjë ekip tjetër.
Mendoni se Partizani duhet të kthejë sytë nga elementi vendas qoftë në administratë, qoftë në ekip?
– Duhet të marrin lojtarë të rinj në moshë dhe me brumë kampioni. Për mua nuk ka aspak rëndësi pasaporta, e rëndësishme është që duhet rinovim me gjak të ri.
A duhet rinovuar me Bathën, Kalarin, Fejzullahin dhe Kotobellin?  
Unë po të jem drejtues dua 11 Batha, Kalara dhe Fejzullaha në fushë. Mendoj se nga ata duhet filluar, nuk e kuptoj pse gjithmonë vihen në diskutim Batha dhe Trashi aty. Mendoj se te Partizani nuk janë lojtarët problemi, por ata që punojnë me ata. Nuk ka mundësi që lojtarët janë gjithmonë justifikim për dështimet e klubit.
Ku ka nevojë të ndërhyhet në ekipin e “demave”?  
– Normal që ka nevojë për ndërhyrje. Me 4 elemente të fortë Partizani bëhet pretendent, duhet punuar me grupin jo vetëm nga ana sportive, por dhe nga ana mentale.
– Një pjesë e vëmendjes së klubit është e kthyer nga Korça dhe dënimi i mundshëm i Skënderbeut. A duhet të ketë shumë pritshmëri nga Skënderbeu?  
– Partizani nuk ka sytë nga asnjë ekip, pasi nuk është problemi a merr pjesë apo jo në Europa League. Duhet më shumë të mendohet të krijohet një grup lojtarësh me mentalitet fitues.
Cenolli me shumë mundësi do të jetë Drejtor Sportiv, ndërsa Tokiç mund të jetë trajneri i ardhshëm. Mendoni se janë zgjedhjet e duhura?
– Cenolli është menaxher shumë i aftë FIFA-t, por roli drejtorit është tjetër gjë dhe akoma nuk e kanë kuptuar. Mendojnë se të bësh drejtorin sportiv është të shesësh lojtarë. Jo, drejtori sportiv është ai që jep strategjinë sportive dhe zgjedh lojtarët dhe stafin dhe punon 24 orë me lojtarët për të krijuar grupin fitues.
– Keni patur kontakte me Drejtorin Rama. Keni biseduar për zhvillimet e fundit?
– Jo asnjë kontakt me drejtuesit e Partizanit!
Sa kanë ndikuar gjyqtarët këtë sezon?
– Gjyqtarët kanë vendosur fatet e disa ndeshjeve, por jo fatet e kampionatit. Klubet mendoj se kanë gabuar se gjithmonë i kanë kërkuar dështimet te gjyqtarët dhe FSHF-ja, duke mos analizuar situatat e brendshme. Megjithatë, mendoj se disa arbitra duhen larguar nga gara, pasi nuk janë në nivelin e duhur.
– E meritonte Skënderbeu Kupën e Shqipërisë?
Në finalen e kupës pati sërish një gabim në favor të Skënderbeut. Kupën e meritonte Laçi. Skënderbeu meritoi kampionatin. Doja të flisja diçka dhe për Osmanin. Nuk e kuptoj përse miku im përdori atë gjuhe kundrejt vajzave të Partizanit. Nuk e kuptoj se pse nuk merr pak shembull nga kapiteni Shehi dhe mesfushori Lilaj që janë vërtetë djem kampionë. Sa për humorin me vajzat e Partizanit, ndoshta ka të drejt pasi do të ketë kohë të lirë gjatë verës dhe nuk ka gjë të keqe të luash me kampionët e një sporti tjetër.
Mendoni se lëvizjet e Gurit dhe Abazajt në Belgjikë janë të duhurat?
Pyetje me vend. Më bëhet qejfi për të dy, pasi e meritonin një mundësi jashtë vendit. Abazaj është lojtar me të dhëna shumë të mira dhe i ri. Do të ketë konkurrencë të madhe te Anderlehti, por besoj se do të ja dalë mbanë me sukses. Guri bëri një zgjedhje më të zgjuar dhe të sigurt. Ju premtuan minuta dhe do të ketë mundësi të tregojë veten. Eksperienca me Kukësi e pjeku më shumë dhe besoj se është gati për këtë hap. Më duhet të ndalem pak për shkodranin, pasi aty duket se memoria është e shkurtër. Lojtarin te Kukësi e solla unë, pasi bisedova me menaxherin e tij asokohe Elton Marini. Kur e solla te Kukësi nga ekipi i Korabit thuajse askush nuk kishte besim te ai dhe “u kryqëzova” për këtë afrim, pas shitjes së tij, pashë që të gjithë u sulën me vrap për të marrë meritat e afrimit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online