Dërguan Shqipërinë në Europian, Armand Duka takon U-17: Ju do ta dërgoni Kombëtaren në Botëror…

Kombëtarja shqiptare U-17 ka arritur një sukses të madh duke u kualifikuar për në fazën e “Elite Round, praktikisht finalet e kampionatit Europian të kësaj grup-moshe, që do të luhen vitin e ardhshëm. Përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku ia doli të kalonte në fazën tjetër pasi bëri një paraqitje shumë të mirë në eliminatoret e Europianit, ku në grup kishte përballë Kroacinë, Suedinë dhe Uellsin, duke grumbulluar 4 pikë në tre ndeshje.

Pas kthimit të Kombëtares U-17 nga Kroacia, atje ku u zhvilluan ndeshjet e grupit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i priti në një takim në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, për t’i uruar për suksesin e arritur, por edhe për t’i njohur me ambientet e kompleksit modern të ndërtuar në Tiranë, që do t’i shërbejë shumë pikërisht ekipeve kombëtare të moshave.

Gjithashtu, Presidenti Duka u bëri apel të rinjve që të punojnë sa më shumë dhe të rriten si bashku si futbollistë që në të ardhmen të mund ta çojnë Shqipërinë edhe në finalet e një Botërori.

“Doja t’ju falënderoja për atë arritje të bukur në Europian, për t’ju inkurajuar që të vazhdoni kështu dhe e treta doja që ju të njiheshit me kompleksin e Shtëpisë së Futbollit, ku do të vazhdoni të stërviteni me synimin për ta çuar Shqipërinë në Botëror. Nuk është thjesht qëllimi për të kaluar në Elite Round, por duhet të rriteni në këtë kompleks, në fushat e tjera që po ndërtohen apo nëpërmjet të gjitha projekteve që ne po bëjmë, sepse ju jeni e ardhmja dhe ju duhet ta çoni Shqipërinë në Botëror.

Është shumë e rëndësishme të luash futboll, e rëndësishme është të jesh skuadër, për të qenë të bashkuar si grup dhe për të krijuar një atmosferë pozitive. Si ua thashë para sfidës me Uellsin, ua them edhe tani, jam shumë i lumtur për këtë arritje, sepse nëpërmjet fitoreve dhe kualifikimeve ju rriteni si skuadër, por objektivi ynë kryesor është që ju të rriteni individualisht dhe si skuadër që t’i shërbeni ekipit kombëtar, të bëhen profesionistë të zotë, për veten, për familjet tuaja dhe për fanellën kuqezi që mbani veshur”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *