Orari dhe kalendari xhindos publikun: Jemi në punë, si të vijmë në mesjavë?!
Drejtuesit e Ligës së Serie A kanë konfirmuar të gjitha datat dhe oraret për ndeshjet e mbetura të javës së 27-të të Serie A (u shty për shkak të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të Davide Astorit, ish-kapiteni i Fiorentinës), ku ndeshja kryesore është jo në mes të Milanit dhe Interit e njohur si Derbi i Madoninas do të luhet me 4 prill nga ora 18:30. Kështu, ndeshjet e mbetura të javës së 27-të u vendos të zhvillohet të martën dhe mërkurën me datë 3 dhe 4 prill, ndërsa mbeti pa u konfirmuar “Derby della Madonnina” shkaku i angazhimit të Milanit në Europa League.
Por, me eliminimin e Milanit nga Kupa, Liga është mbledhur dje dhe ka vendosur për këtë datë. Një ndeshje, ajo derbi, që vjen vetëm katër ditë pas sfidës Juventus-Milan, për javën e 30-të të kampionatit. Në fakt, ajo ndeshje do të luhet rregullisht më 31 mars, ora 20:45, në “Allianz Stadium” të Torinos. Edhe pse, shkak ndeshja Juventus-Real Madrid më 3 prill, Juventusi ka kërkuar që të tërhiqet ditën e premte, pra më 30 mars, Liga nuk ka pranuar, ndërsa ka konfirmuar datën e paravendosur. Ndërsa, sa i përket sfidës Milan-Napoli, më 15 prill, do të luhet jo në mbrëmje në orën 20:45, por në drekë, të dielën, ora 15:00. Kjo është sfida e vlefshme për javën e 32-të të kampionatit. Kështu, për kuqezinjtë do të jenë plot katër ndeshje në “San Siro” nga pesë të radhës.
Protesta – Menjëherë sapo ka dalë data e 4 prillit për derbin e Madoninas, tifozët kanë shpërthyer në rrjetet sociale kundër të drejave televizive dhe kanaleve që vendosin, për transmetimin. Ata akuzojnë ashpër, për faktin se në një ditë të zakonshme pune, në mesjavë, do të luhet në orën 18:30 dhe shumica nuk do të kenë mundësi që të udhëtojnë në Milano. Klubi kuqezi kishte kërkuar që ndeshja derbi të luhej në datën 25 prill, ditë festive, ose më 1 maj, në mënyrë që tifozët të mbushnin stadiumim, por kështu nuk ka ndodhur. Një problem do të jetë për shumë tifogrupet që do të udhëtojnë nga Italia dhe nga Europa për këtë ndeshje.
Interi – Sakaq, Interi ka studiuar kalendarin mirë dhe ka vendosur që të mos pranojë shtyrjen më tej, në mënyrë që të zbatohej rregullorja (duhet zhvilluar brenda 15 ditësh nga data kur edhe skuadrat nuk kanë impenjime në mesjavë). Kështu, duke parë se pikërisht me Juventusin do të luanin katër ditë pas derbit, nëse vendosej më 25 prill, atëherë preferuan që më mirë të jetë Milani ai që do të përballet me Juven në fillim dhe më pas do të luajë derbin.
Java e 27-të e Serie A (e prapambetur)
E martë, 3 prill
Atalanta-Sampdoria 18.30
Xhenoa-Kaljari 18.30
Udineze-Fiorentina 18.30
E mërkurë, 4 prill
Benevento-Verona 17.00
Kievo-Sasuolo 18.30
Torino-Krotone 18.30
Milan-Inter 18.30