Tirana dhe Partizani do të luajnë në ditën e nesërme, në një përballje që pritet me interes të lartë. Kjo për vetë faktin se të kuqtë po e sundojnë derbin prej vitesh, por këtë herë situata duket ndryshe.
Bardheblutë janë më në formë dhe shihen si favoritët për të fituar, megjithëse historia e viteve të fundit flet për një tjetër përfundim. Për të provokuar disi kundërshtarët ka menduar Esat Mala, që në konferencën e sotme për shtyp është shprehur se vazhdon i njëjti film dhe e njëjta histori:
“Derbi ndryshe? I njëjti film dhe e njëjta histori. Kam luajtur edhe më parë kundër Bathës kur luante në Vlorë. Të dy dëshirojmë që të fitojnë skuadrat tona, por do ia dalë ai që lufton më shumë. Kudo që të më vendosë trajnerin unë do të jap më të mirën time dhe tifozët do të jenë mbështetja jonë e madhe”, ka thënë Mala. /Sport Ekspres/