Derbi më i zjarrtë në futbollin grek do të luhet në ditën e sotme mes PAOK dhe Panathinaikos. Ndeshja do të jetë e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Greqisë dhe pritet të dhurojë shumë emocione, në stadiumin ku asnjëherë nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjet mes tifozerive.
Sa i përket arbitrave që do të jenë në këtë takim, ka vend edhe për një shqiptar të Kosovës. Bëhet fjalë për Bekim Zogajn që do të jetë ndihmësi i kryesorit Sandro Shcarer, me detyrën më të vështirë për të mbajtur qetësinë dhe rregullin, në një vend që duket mision i pamundur. Zogaj ka nënshtetësi zvicerane dhe ka gjykuar shumë ndeshje europiane në këto vitet e fundit. /Sport Ekspres/