Marash Kumbulla do të jetë një temë e nxehtë gjatë merkatos së verës dhe lufta për të ka nisur që në muajt e parë të vitit 2020. Juventusi, Interi e Napoli janë ekipet italiane që e kërkojnë mbrojtësin shqiptar në grupin e tyre, madje me dy skuadrat e fundit që e tentuan një gjë të tillë që në dritaren e transferimeve të dimrit. Por gara për lojtarin kuqezi nuk do të mbetet vetëm Brenda kufijve të Italisë, pasi dy gjigantët e Premier League, si Manchester United dhe Chelsea janë vënë pas tij.
Sipas prestigjozes “The Sun” Solskjaer dhe Lampard e duan Kumbullën nën urdhërat e tyre, ndërsa klubet janë të gatshme të paguajnë edhe shifrën që Verona dëshiron të arkëtojë në xhepat e saj dhe që kap shifrën e 23 mijë paundëve. Një transferim te blutë e Londrës ndoshta do të ishte i duhuri për mbrojtësin kuqezi, duke parë edhe projektin që trajneri Lampard ka, me të rinjtë që janë kthyer në një pjesë thelbësorë e punës së tij.
Gjithashtu te Chelsea do të gjente një tjetër yll shqiptar në rritje, Armando Brojën, i cili plotësoi ëndrrën e tij pak kohë më parë duke debutuar me ekipin A. Dy futbollistë shqiptar që nuk i kalojnë 20 vjeç dhe aftësitë nuk i mungojnë aspak ashtu siç nuk ka për tu munguar as suksesi nëse vazhdojnë të mbajnë hapin e deritanishëm./Sport Ekspres/