Dëmtim i rëndë për Xhakën, Panuçi përgatit debutuesin e radhës!

Mesfushori doli në lot me barelë në minutën e 81-të të sfidës Bazel-Zyrih. Do të kthehet sezonin tjetër. Pas Abrashit, tjetër humbje e madhe për trajnerin italian, që mund t’i japë shans Ndojit

Anton Cicani

Dëmtimet vazhdojnë që të persekutojnë kombëtaren e Shqipërisë dhe, edhe ata futbollistë që po luajnë me vazhdimësi, e pësojnë… Kështu, pasi ndaj Norvegjisë nuk pati Veselin dhe sidomos Abrashin, që do të kthehet vetëm në tetorin e ardhshëm, një tjetër copëz e mesfushës do të mungojë në miqësoren e qershorit, ndaj Ukrainës (mbetet për t’u caktuar edhe një miqësore tjetër).

Taulant Xhaka, që aq mirë po bënte në kampionatin zviceran, është dëmtuar në sfidën ndaj Zyrihut, duke lënë fushën e blertë në minutën e 81-të me barelë. Bazeli ka arritur të fitojë takimin ndaj Zyrihut me rezultatin e thellë 3-0, por shqiptari nuk mundi të festojë.

Ai ka dalë nga fusha e lojës nëpërmjet barelave dhe duke lotuar, teksa ndjente shumë dhimbje pas lëndimit të marrë në fushën e lojës. E ndërsa kryqëzoheshin gishtat që të mos ishte një dëmtim i rëndë, analizat kanë konfirmuar tjetër gjë.

Sipas njoftimit të klubit zvicerian, Xhaka ka pësuar këputje të pjesshme të ligamentit në gjurin e djathtë. Pra, sezoni i mbyllur dhe tashmë mendja të rehabilitimi. Jo vetëm kaq, por ai nuk do të jetë as edhe në miqësoren ndaj Ukrainës, ku do të mungojë edhe një tjetër element i rëndësishëm i mesfushës, pra Abrashi, që gjithashtu do të jetë jashtë deri në tetor.

Kështu, mbetet për t’u provuar sërish Bare, por edhe Lilaj e, ndoshta, Emanuele Ndoj. Natyrisht, lojtari i Breshias dhe U-21, gjatë kësaj periudhe dhe, sidomos ndeshjet e fundit me “dallëndyshet”, ka bërë mjaft mirë. Xhaka dëmtohet pikërisht pas një goli të mrekullueshëm ndaj Jang Bojsit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *