Sulmuesi maqedonas ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit bardheblu dhe pritet që nesër të jetë në kryeqytet. Më pas do të vijë firma dhe formalitet e radhës
Gjergji Stefa
Një shenjë “tick” në shënimet e Tiranës. Sulmuesi anësor që kërkojnë është gjetur. Bisedimet kishin nisur prej kohësh dhe tanimë është gjetur akordi. Dejan Blazhevski, i cili mbylli sezonin e tretë vjet me Vardarin në Maqedoni, nesër pritet që të takohet me drejtuesit e bardhebluve dhe të mbyllë gjithçka me hedhjen e firmës mbi kontratë. Atëherë mund të quhet e kryer, por palët parimisht kanë rënë dakord për gjërat kryesore të marrëveshjes. Normalisht do të ketë edhe ndonjë bisedë tjetër, por që nuk besohet që palët të shtrëngojnë duart për të vijuar në drejtime të ndryshme. Blazhevskin që tani e konsiderojnë të Tiranës. Kështu për Ze Marian reparti i sulmit duke i plotësuar. Majkëll Ngo ka pranuar ofertën për rinovimin e kontratës dhe në gusht do të nisë përgatitjet me skuadrën, për të qenë në këtë mënyrë i gatshëm për të provuar edhe Superioren. Së bashku me Blazhevskin, Junus Sentamu dhe Bedri Grecën do të mbajnë peshën më të madhe të repartit të sulmit. Në gatishmëri do të jenë edhe të rinjtë: Halili, Bardhi dhe Muçi, të cilët presin minuta edhe këtë sezon në Superiore. Sigurisht elita është e vështirë, por Ze Maria e ka shprehur se për të nuk ka rëndësi mosha për të luajtur. “Është në ADN-në time, vetë kam luajtur në Brazil që 17 vjeç. Një lojtar, nëse është i mirë edhe 17 vjeç, i duhet dhënë mundësia. Nuk duhet pritur që ai të shkojë 20 vjeç për ta kaluar në skuadrën e parë, qoftë në Superiore, qoftë në të Parën. Nëse janë lojtarë të mirë, nuk shoh arsye pse të mos luajnë. Nëse luajnë 17 vjeç, ana pozitive është se kanë 2-3 vite për t’u përmirësuar, për t’u pjekur, për t’u bërë pjesë e grupit. Nëse e merr që të vogël, mund të rritet edhe më shumë”, thoshte në “RTSH” braziliani para disa kohësh, një mesazh motivues për të rinjtë bardheblu.
E SHKUARA E BLAZHEVSKIT – Udhëtimin e tij si futbollist profesionist e ka nisur nga Pelisteri në vitin 2006 dhe dy sezonet e mira aty i dhanë mundësinë të transferohej në Greqi, në ligën e dytë, jo në elitë. Nuk shënoi shumë, por ka luajtur rregullisht. Veria dhe Pierikos Katerini kanë qenë ekipet e tjera të tij ne vendin e helenëve dhe më pas u kthye sërish në Maqedoni, këtë herë te Turnovo. Aty zhvilloi dy sezone të mira, duke realizuar në kampionat plot 37 gola. Më pas provoi një eksperiencë në Azerbajxhan me Khazar Lankaran. Në janar të vitit 2015 u rikthye në Maqedoni, ku veshi fanellën e Vardarit, skuadër me të cilën ka fituar tre herë titullin kampion. Fillimi ishte i mirë, teksa shënoi 8 gola në gjysmë sezoni, ndërkohë që e ruajti këtë trend, duke realizuar 9, 11 dhe 8 gola në sezonin e fundit. Sulmuesi ka qenë edhe pjesë e Maqedonisë, duke luajtur kryesisht në miqësore. Me fanellën e Vardarit, nëntorin e shkuar arriti t’i shënojë gol Zenitit në humbjen 2-1 të pësuar në Rusi. Me Turnovon më parë ka shënuar tre herë në kualifikuese e Ligës së Europës. Njërin prej golave ia ka realizuar kroatëve të Hajduk Split. Sikurse edhe shihet, Blazhevski ka eksperiencën e duhur për t’i dhënë Tiranës atë çka do në repartin ofensiv.