Në Itali ka rregulla shumë të veçanta dhe deri diku të palogjikshme sa i përket ekipeve që luftojnë mes njëra-tjetrës në përballjet e “Play-Off” në Serie B, me fituesin që shkon në Serie A. Vetëm pak ditë më parë kemi raportuar mënyrën sesi Kievo do të mbërrinte në gjysmëfinale, ku eliminoi Empolin “padrejtësisht”. Në përballjen e vetme mes tyre, takimi u mbyll në shifrat 0-0. Më pas është vazhduar në 30 minutat e shtesës, ku ndeshja përfundoi 1-1. E nëse mendonit se fituesi do të dilte nga ruleta ruse, nuk ndodhi kështu.
Këtu u fut rregulli tjetër që merret për bazë renditja e fundit e kampionatit, atje ku Kievo e mbylli në vendin e 6 me 56 pikë, ndërsa Empoli në vendin e 7 me 54 pikë. Pra pas 120 minutash loje dhe me një histori tërësisht të re, dy pikët e sezonit të shkuar janë vendimtare.
Por çfarë ndodhi sot në mbrëmje? Një tjetër rregull i çuditshëm vjen nga Italia, por këtë herë është Kievo që e pëson dhe humbet në gjysmëfinale, duke hequr përfundimisht mundësinë që të ngjitej në Seria A. Gjysmëfinalja ishte me dy takime, ku në të parën Kievo e mundi Spezian në shifrat 2-0. Ndërkohë në përballjen e sotme ishte Spezia që fitoi në shifrat 3-1 ndaj Kievos. Por ndryshe nga sa mund të mendohet është Spezia që arrin të kalojë në finale pasi në rastin se ndeshjet dalin barazim në diferencën e golave, merret menjëherë për bazë renditja e fundit e kampionatit, ku Spezia u rendit e treta. Pra, të nisësh një histori të re në “play-off” duke mbetur peng i së shkuarës. Ndodh në Itali! /Elio Hajdari-Sport Ekspres/