Deja Vu me Israelin! Si i harruat kaq shpejt fjalët e De Biazit? Parashikoi problemin e Shqipërisë sot: Lojtarë pa dëshirë dhe uri, kujtuan se arritën gjithçka

Nga Klaudio Ndreca

Nëse do të tregosh sesi ka shkuar ecuria e Shqipërisë në këto 7 vitet e fundit, mjafton që të përmendësh dy Kombëtare: “Israel, Islandë”. Këta rivalë nënkuptojnë shumë për të gjitha luhatjet tona, ulje-ngritjet, mungesës së dëshirës së lojtarëve dhe më pas momenti kur marrin zemër, për mentalitetin tonë dhe shumëçka tjetër.

Të gjithë po mundohen të gjejnë sesi mundet Shqipëria e sotme të ketë rezultate të tilla. Shumëkush shprehet se është edhe më e pamundur, pasi ndaj Israelit luajtëm me 7 lojtarë nga Seria A, 2 nga La Liga dhe 1 nga Premier League. Në fakt, nuk është kaq e pamundur, problemi është pikërisht këtu, nga këto kampionatet elitare të ndërthurura me mentalitetin shqiptar.

Kjo shpjegon sesi ekipi ynë dominon lehtë rivalët në 45 minuta me raste dhe fiton, ndërsa në të dytën me mendimin se ndeshja është e mbaruar, gabon rëndë dhe i fal ndeshjen kundërshtarëve. Nëse doni ta kryqëzojmë Rejën, atëherë jemi të parët do të godasim edhe me gozhdët e fundit për t’u siguruar se italiani ndien mjaftueshëm dhimbje sa për të vuajtur dhe për të na bërë ne të lumtur. Por nuk është kjo zgjidhja.

Si mundet t’i harronim ne fjalët e De Biazit, njeriu që na dërgoi në Europianin e Francës? E çfarë tha, kush i kujton? Ne po! Kur Shqipëria mbylli Europianin, mediat dhe tifozët krijuan me të drejtë idenë se “akulli” u thye, për të pasur më shumë peshë në Europë. Por lojtarët nga ana tjetër, nisën që të silleshin rëndë në fushë si ta kishin fituar Europianin dhe jo thjeshtë të ishin kualifikuar në grupet e tij.

Pasi Shqipëria u kthye nga Franca, ndeshja e parë normale që luajti ishte ajo kundër Israelit, ja ku vijmë sërish te…Israeli. Me këtë kundërshtar, ne do të shihnim fytyrën tonë të vërtetë pas Europianit, për të parë sesa ishim rritur dhe sesi mund ta shtypnim kundërshtarin, pasi ishim kthyer në europianë. Themi ndeshja e parë e vërtetë pasi në fillim mundëm Maqedoninë e Veriut në një ndeshje anormale që u zhvillua mes dy ditëve dhe me shumë fat, fituam me Lihtestejnin dhe humbëm ndaj Spanjës.

Për këtë arsye ndeshja e parë e vërtetë ishte kundër Israelit për të parë se ku kishim shkuar realisht dhe atje humbëm 0-3. E njëjta panoramë si para dy ditëve në humbjen e Air Albania. Fitorja e sigurt në letër dhe morali i lartë, optimizmi i tifozëve dhe mediave, Etrit Berisha në mbrëmje makthi dhe në fund disfatë. De Biazi nisi të reflektonte, thellë madje. Por jo aq sa kur Shqipëria do të humbiste edhe ndaj Luksemburgut në transfertë, 2-1. “Një ekip si i yni, nuk duhet të nënvlerësojë asnjë. U mundëm në vend të fitonim 4-0. Janë këto momente ku është më mirë të mos flasësh”.

Por italiani nuk mundi ta mbante dot gojën mbyllur për shumë gjatë. Sigurisht që teoritë e para për të hedhur poshtë këtë hipotezë janë se De Biazi i mori maksimumin atij grupi të caktuar lojtarësh që kishin shumë limite. Por vetë trajneri që e drejtoi atë ekip, në fakt tha krejtësisht të kundërtën për arsyen se përse i la futbollistët: “U largova nga Shqipëria pasi ajo skuadër nuk shkonte dot në Botëror. Lojtarëve pas Europianit i iku dëshira dhe uria, kujtuan se arritën gjithçka”.

Fjalët e De Biazit janë esenca e gjithçkaje, problemit të së shkuarës dhe të së tashmes, fatkeqësisht, duket edhe të së ardhmes. Nëse ata lojtarë ishin të ngopur nga suksesi i Europianit, këta aktualit janë nga klubet që vijnë dhe që ne i tregojmë me krenari të madhe. Pikërisht në momentin kur zgjedhim që të ngremë kokën dhe të mendojmë se do t’i shtypim kaq lehtë kundërshtarët, aty na vjen edhe shuplaka e madhe për të na rikujtuar se jemi ende shumë të vegjël. Kështu kalojmë nga një super ndeshje me Spanjën në transfertë te ekstremi me Israelin në shtëpi.

Për këtë arsye, Israeli është kundërshtari ynë i reflektimit. Reja mbetet po ai fajtor që duhet kryqëzuar, por dëmi më i madh është ai i mentalitetit të shqiptarëve që ndodhet në genin tonë dhe që nuk ndryshon kurrë, në çfarë do shteti të botës dhe të Europës që të jetosh e rritesh. Huqet dalin me shpirtin thonë…

Nga ana tjetër, edhe Islanda tregon shumë për ne, na sjellë shumë kujtime. Ky moment kur lojtarët po akuzohen se po luajnë pa personalitet, pa shpirt për fanellën, ka ndodhur edhe më para, ku edhe Reja ka qenë në krye. Pikërisht në ndeshjen kur Kombëtares “iu prek” sedra dhe e mundëm Islandën me shifrat 4-2 në Shqipëri.

Roshi shkoi menjëherë te tifozët duke vendosur gishtin në veshë, ishte çlirim si për të treguar: “Tani nuk po ju dëgjoj. Ku jeni?”. Por ja që njerëzit duhet të reflektojnë, të dëgjojnë, të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të mos zgjedhin që fajet t’ia delegojnë një personi tjetër. Dështimi e ka një shpjegim, nuk vjen kurrë rastësisht. Dhe meqë Elseid Hysajt i pëlqen shumë të mësojë dhe harrojë çdo humbje, fillimisht duhet ta nisi mësimin prej këtu pasi i ka përjetuar të gjitha këto situata. Cdo zë kritiku nuk është armiku, por i një dashamirësi që kërkon më të mirën e Hysajt dhe të gjithë djemëve të tjerë të Shqipërisë. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *