Bredli Loueri ishte një djalosh 6-vjeçar, i cili po luftonte me sëmundjen e keqe dhe zemra e tij rrihte për ekipin e Sanderlendit. Historia e tij preku miliona tifozë të futbollit dhe djaloshi u bë i famshëm në rrjetet sociale për pasionin dhe dashurinë për klubin e tij të zemrës.
Klubi anglez i dha mundësinë të ofrohej dhe takohej me idhujt e tij dhe organizoi evente të ndryshme në ndihmë të Bredlit. Vogëlushit i erdhi ftesa për të shkelmuar topin e parë në një ndeshje, në krahët e mikut të tij, Xhërmein Defo. Me sulmuesin u krijua një lidhje e fortë dhe tepër e veçantë. 36-vjeçari krijoi fondacionin me emrin e tij në nder të vogëlushit dhe me qëllimin për të ndihmuar fëmijët e vegjël në Britaninë e Bashkuar dhe Karaibe, të cilët luftojnë me sëmundjen e keqe. Një nismë e tillë solli dhe vlerësimin e Mbretëreshës së Anglisë, e cila nderoi Defon me një çmim.
Me datë 7 korrik të vitit të kaluar, Bredli humbi luftën e tij me kancerin, duke ndërruar jetë. Vdekja e tij i trishtoi të gjithë, sidomos sulmuesin. “Bredli pati një jetë të shkurtër, por arriti të ndryshonte jetët e shumë njerëzve, sidomos timen”, shprehej lojtari pas largimit të parakohshëm të Bredlit nga jeta.
Ish-sulmuesi i Sanderlendit (aktualisht pjesë e Boremuthit) dhe idhulli i Bredlit, ka vendosur të “përjetësojë” mikun e tij të vogël. Siç citon “Daily Mail”, Defo ka bërë një tatuazh në parakrahun e tij, ku ka shkruar “Brads”. Ka miqësi dhe lidhje që shkojnë përtej kohës. Përtej vdekjes. Miqësia e Defo me Bredlin do të mbetet përgjithmonë, tashmë dhe në lëkurën e tij.