Trajneri i Lushnjes, Hysen Dedja, e ka nisur me humbje aventurën e re në drejtimin e skuadrës lagunare, sepse nuk ia ka dalë në Gjirokastër. Gjithsesi, më shumë se humbja, trajneri shkodran shqetësohet nga kushtet e punës në Lushnje.
“Mendoj se nuk patëm fat, sepse humbëm rast me Sefën që në fillim dhe pësuam gol në minutën e tretë, duke na goditur shumë shpejt. Megjithatë, skuadra ka dëshirë të stërvitet dhe të luftojë, ndërsa ka nevojë për kushte më të mira stërvitore. E kam gjetur skuadrën pa një fushë stërvitore, shpresoj që klubi, bashkia dhe FSHF të bashkëpunojnë që Lushnja të bëhet me një fushë stërvitore cilësore, sepse kështu është e kotë.
“Cilësia në skuadër? Po ta bëj krahasimin me periudhën kur kam drejtuar, para shumë vitesh, atëherë grupi ishte më cilësor. Megjithatë, edhe grupi aktual ka vend për punë dhe mund të përmirësohet.
“Cilësia e kampionatit? Ka rritje në krahasim me tetë vite më parë, kur kam drejtuar unë për herë të fundit.
“Sot Luftëtari ishte superior, në raste e në lojë, por jam i bindur se Lushnja mund të përmirësohet. Unë nuk kam pasur dëshirë që të kthehem në Superiore, dëshiroja të punoja me moshat, por veç Vllaznisë, vetëm te Lushnja kisha dëshirë të punoja dhe kjo skuadër më ka pëlqyer, kur e kam parë”.