Në humbjen e fundit të marrë nga ana e Skënderbeut ndaj Tiranës ka pasur kritika të mëdha të ardhura nga specialistët për performancën me dy fytyra të korçarëve. Kjo pasi pati shumë diferenca nga dominimi i pjesës së parë ndaj bardhebluve, për të mbërritur te një nivel në ulje në vazhdimin e takimit.
Trajneri Daja do të shprehej pas takimit se faktori i vetëm që ndikoi në këtë humbje ishin mungesat e shumta, duke thënë se po luante me çerekun e ekipit ndaj kryesuesve aktual të Superiores dhe kishte mungesë të kontingjentit. Por kundër këtyre fjalëve janë Nevil Dede dhe Gëzim Sinemati. Dede i ftuar në emisionin “Pressing” është shprehur se Daja e gjen gjithmonë alibitë e humbjeve te mungesat.
“Skënderbeu shënoi golin dhe pati tre kundërsulme. Tirana pati dy raste me Ngoo dhe Bathën. Pjesën e dytë kishte diferenca të frikshme. Sikur vinte nga kampionat tjetër. Nuk e kisha parë kurrë Skënderbeun të shkërmoqej ashtu.
Mund të kenë si alibi ndeshjen me Bylisin, ose mungesat. Gjithmonë e njëjta kasetë, sa herë humbet kemi mungesa. Kanë lojtarë si Bregu, Dita, Jashanica e të tjerë dhe nuk mund të ketë diferenca aq të mëdha”.
Ndërkohë nga ana tjetër, Gëzim Sinemati e ka prekur shkurtimisht këtë çështje te “Procesi Sportiv”: “Normalisht që Skënderbeu ndryshoi shumë nga pjesa e parë te e dyta. Daja tha se u luajt në këtë mënyrë pasi kishte shumë mungesa. Po mirë në pjesën e parë që ishin superior karshi Tiranës, nuk po i mungonte Jashanica me Bregun dhe të tjerët? Po t’i lëmë këto”. /Sport Ekspres/