Vllaznia po kalon një sezon problematik, ku kriza financiare dhe ajo në rezultate kanë shoqëruar njëra-tjetrën te skuadra shkodrane. Një klub me emër të madh në historinë e futbollit shqiptar, por që vitet e fundit po lufton të mbijetojë në Superiore. Faji këtu i takon menaxhimit të klubit. Këtë mendim ndan Rudi Vata. Ish-futbollisti shkodran, në një prononcim për emisionin “Pressing” në “ABC News” ka deklaruar se në dekadën e fundt kanë qenë njerëz mediokër ata që kanë drejtuar kuqeblutë, ndërsa thekson se klubi nuk duhet të jetë më gjatë nën pronësinë e Bashkisë.
Ndërkohë një paralajmërim vjen edhe për Tiranën. Bardheblutë po kalojnë një sezon të mrekullueshëm, por Vata sheh nga e ardhmja dhe shprehet se do të ketë probleme edhe për kryeqytetasit. Borxhet e skuadrës do e përndjekin dhe mund të përkthehen në vuajtje më vonë.
“E ndjek gjithmonë kampionatin shqiptar. Jam i interesuar të di se çfarë ndodh atje. Jam i interesuar të shikoj suksesin e skuadrave të rëndësishme, pasi ndikojnë te futbolli shqiptar.
Kur shikon emra të mëdhenj që sot vuajnë, nuk është diçka e mirë. Në fakt të gjitha klubet kanë probleme, madje edhe Tirana që është drejt titullit. Së afërmi do shohim një Tiranë me probleme të mëdha, për shkak të borxheve. E kaluara ndikon edhe në të tashmen.
Edhe Tirana do ketë probleme. Mos u mundoni t’i mbuloni gjërat, të vërtetat dihen. Duhet t’u themi njerëzve atë që ekziston dhe çfarë mund të arrihet. Kur lexoj që i detyrohen ish-presidentit, do të thotë se ka borxhe.
Vllaznia? Ata që kanë drejtuar dhe e drejtojnë nuk e kanë kapacitetin të dinë si drejtohet. Që kur sheh stadiumin që kanë, ata janë të privilegjuar. Përzgjedhja e ekipit është problem. A ka pasur Vllaznia kompakt, me ide të mëdha? Jo.
Vllaznia në dekadën e fundit është menaxhuar nga njerëz mediokër, njerëz që nuk u thotë njeri nadja e mirë. Duhet të kuptohet që bashkia duhet të heqë dorë nga klubi. Nuk i kanë kapacitetit ta menaxhojnë Vllazninë si duhet. Ata që e kanë menaxhuar kanë qenë njerëz nga politika.
Njerëzit që kanë marrë përsipër drejtimin duhet të mbajnë përgjegjësi. Lici është djalë i mirë, është i vetëm. Nuk ka kapacitete për ta menaxhuar. Duhen njerëz të fortë, me zemër, guximtarë, që nuk tërhiqen. Jeta atje është e egër. Të menaxhosh një klub, normal duhet të jesh i ndershëm, duhen njerëz që luftojnë me rivalët”, ka thënë Rudi Vata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/