Një moment debati ka pasur në emisionin “Pressing”, atje ku ka pasur ide të ndryshme nga ana e Sulejman Starovës dhe ish-futbollistit të Tiranës, Rezart Dabulla. Trajneri që sapo u largua nga Laçi është shprehur se Tirana nuk ka një mbrojtje të nivelit të duhur, duke sjellur si rast konkret atë që ndodhi në derbi ndaj Partizanit.
Ndërkohë Dabulla e ka hedhur poshtë këtë ide, duke mos parë mbrojtës më të mirë në ekipet e tjera të Superiores, sesa te bardheblutë.
Debati i plotë
Sulejman Starova: “Mbrojtja e Tiranës nuk është në nivelin e duhur sipas mendimit tim”.
Rezart Dabulla: “Po nëse mbrojtja e Tiranës nuk qenka mirë. Atëherë, kush është më e mirë?”.
Sulejman Starova: “Nuk ia lejoj vetes që ju të thoni diçka që nuk ka dalë nga goja ime. Nuk thashë se ka mbrojtje të dobët”.
Rezart Dabulla: “Por mirë, nuk qenka në nivelin e mirë. Por në krahasim me kë? Në krahasim me cilin ekip nuk është më e mirë?”.
Sulejman Starova: “Mos e merr si ofendim. Më lërë të mbaroj deri në fund analizën”.
Rezart Dabulla: “Kush tjetër i ka mbrojtësit si Tirana dhe aq të shpejtë? Këtë dua të di”.
Sulejman Starova: “Po ta jap si rast konkret, në derbi. Po bënin presion vetëm bardheblutë në fillim. Pastaj me rastet e Partizanit u shpua direkt në mbrojtje”.
Rezart Dabulla: “Jo jo, nuk u shpua mbrojtja, por u përplasën me njëri-tjetrin te goli i parë”.