Matthijs De Ligt u ble me insistim nga Juventusi këtë verë, pas një sezoni të shkëlqyer që ish kapiteni i Ajaksit zhilloi sezonin e shkuar me ekipin holandez, që mahnitën Europën me lojërat e tyre. Mbrojtësi mendohej si një afrim thelbësor te bardhezinjtë dhe shihej si një investim i sigurt, megjithëse në këto javë të para nuk ka arritur të përshtatet në mënyrën e duhur me ekipin e ri. Madje duke gabuar në golat e fundit që Juventusi pësoi ndeshjen e fundit ndaj Napolit në kampionat.
Gjithsesi De Ligt shprehet se nuk është e lehtë të kalosh në një vend të huaj, por do të punojë fort për të që të jetë një pasardhës i denjë i legjendave që Holanda ka nxjerrë në historinë e saj. “Është një ëndërr, jam shumë krenar për njerëzit që më kanë ndihmuar vitin e shkuar, krenar për familjen që më mbështet. Juve? Jam tashmë në një shtet të ri dhe e di se asgjë nuk është e lehtë. Do të punoj fort në Itali që të arrij nivelin e gjeneratës së vjetër të Koeman, Van Persi, Van Gaal dhe Robben” ka thënë De Ligt.
Nga ana tjetër edhe vetë trajneri i Holandës, Koeman, i ka dalë në mbrojtje të riut që i është besuar një vend titullari pas dëmtimit të Chiellinit te Juventusi, duke folur me eksperiencën personale:
“Për çfarë bëhet e gjithë kjo zhurmë? Ai pati një moment të vështirë kundër Lozanos dhe gjërat nuk kanë funksionuar, por ne të gjithë jemi shumë të shpejtë në gjykime. Mund t’ju tregoj artikujt e gazetave kur unë bëra debutimin tim në Barcelona. Të gjithë pyesin se çfarë kishin blerë. Unë dua të besoj te lojtarët e mi dhe gjërat nuk do të ndryshojnë. De Ligt do të luajë si mbrojtës qendre dhe është e qartë se do të marrë kohë për t’u përshtatur në Serie A”, ka thënë Koeman. /Sport Ekspres/