Xhani De Biazi e ka deklaruar edhe më parë: “Do të jem pjesë e një kombëtareje që merr pjesë në Kampionatin Botëror”. Me sa duket ajo pistë është sfumuar, pasi një ditë më parë Polonia preferoi të emëronte Jerzi Bërzeçek. Ishin të shumtë emrat e kandidatëve që mund të zëvendësonin Adam Navalkan, ndërkohë që Xhani De Biazi ishte ndër kandidatët favoritë për të marrë drejtimin e Polonisë.
Për të do kishte qenë një hap i madh në karrierë. Me Shqipërinë bëri një punë të mirë, teksa arriti të kualifikonte kuqezinjtë në “Francë 2016”, një ngjarje historike. Edhe pse para pak kohësh italiani u shpreh se nuk kishte bisedime me polakët, e vërteta qëndron ndryshe. De Biazi ka vendosur të flasë më në fund dhe një nga temat ka qenë edhe marrja e detyrës së trajnerit te Polonia. Dukshëm shfaqet i zhgënjyer për vendimin që mori presidenti i federatës polake, Zbigniev Boniek.
“Dy vite më parë isha shumë pranë Italisë, por më parakaloi dikush tjetër. Dje isha praktikisht trajner i Polonisë, pastaj Boniek zgjodhi një trajner polak. U ndjeva sikur më kishin pushuar nga puna. U zhgënjeva, do kisha dashur të më njoftonte ai dhe jo me anë të gazetave. Mes një klubi dhe një kombëtareje? Nuk kam preferenca, më pëlqen shumë të kthehem dhe të stërvit një skuadrës, si dhe të përpiqem të arrij objektivat”, ka thënë mes të tjerash Xhani De Biazi në një intervistë të dhënë për RMC në Itali.