Davidi kundër Golias, “guri” që nuk goditi në shenjë!

 

Kupa e Italisë. Skuadra e Serisë C, Pordenone, për pak sa nuk realizoi mrekullinë sportive: të kualifikohej ndaj kryesueses së Serisë A, Interit, dhe që nuk ka humbur asnjë ndeshje këtë sezon. Rezistoi 120 minuta. Vendosi ruleta e penalltive

Të qeshur dhe pa lot në sy, por të lumtur për atë që kishin arritur… Një penallti ndan një fitore nga një humbje, një disfatë nga një triumf, por sidomos e bën futbollin më të magjishëm. Do të donit të dinit se si ndihen lojtarët e ekipit të Serisë C italiane, Pordenone, por në të vërtetë ata ndihen mjaft mirë. Mjaftonte t’i shihje pasi Nagatomo realizoi penalltinë vendimtare…

Nuk u besonin syve që kishin mbërritur pikërisht deri në atë moment, duke frikësuar një ekip që kryeson Serinë A, nuk ka asnjë humbje këtë sezon dhe që ka në gjirin e saj futbollistë që kushtojnë nga 30 deri në 120 milionë euro… Dhe, njëri prej tyre merr dyfish sa është ndërtuar skuadra në fjalë. Një ekip që ëndërronte të kthehej në këmbë në shtëpi, sipas premtimit, por që me siguri meriton që autobusi i Interit ta çojë në destinacion.

Sepse, arritja historike (sezonin e shkuar pamë Specian të eliminonte skuadrën e Romës, por edhe Alesandrian, dy sezone më parë, të përballej me Milanin në “San Siro” gjithashtu). Këto dhe përralla të tjera, e bëjnë futbollin më të bukur. Sepse, nëse i futemi një komenti të ndeshjes, atëherë prishim këtë magji. Na pëlqen fundi, na pëlqen që pikërisht Interi i këtij sezoni u vu në vështirësi dhe vuajti, duke djersitur shtatë këmisha, ndaj një skuadre që ndodhet në vend të pestë në kategorinë e tretë dhe që në “San Siro” meritoi duartrokitjet e thuajse 26 mijë të pranishnëve.

Dhe, veç kësaj, listës së mrekullisë që për pak nuk u realizua, i shtohen edhe dy penalltitë e pritura nga portieri i Pordenones, Perili… Pordenone largohet me kokën lart, teksa Interi me vetëdijen se ndoshta në mesjavë duhet të mësohesh më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *