Sulmuesi vlerëson kundërshtarin dhe kërkon që të shkelin çdo centimetër të fushës për të marrë fitoren. “Ka ardhur momenti t’i japim fund kësaj periudhe të keqe”
Elton Nika
Flamurtari është gati për Kukësin, një ndeshje kyçe për sezonin aktual, që mund të luajë fatet e të gjithë sezonit. Në kampin vlonjat janë të vendosur të kërkojnë fitoren, me qëllim që të vijohet me këtë hap edhe në ndeshjet e mbetura të këtij kampionati. Për kuqezinjtë, sikurse dihet, do të ketë rikthime të rëndësishme, ndërsa sulmi do t’i besohet sërish Bushiç dhe Danilo Alvesh. Braziliani e sheh përballjen me Kukësin si një nga ato sfida ku duhet të tregohet fytyra e vërtetë e Flamurtarit, një skuadër që sipas tij duhet të jetë e përbërë nga luftëtarë në fushën e lojës për të marrë tre pikët. “Ne duhet të jemi gati dhe jemi gati me qëllimin për të luajtur një sfidë shumë të rëndësishme, mjaft delikate dhe ku duhet të kërkohet fitorja. Është një moment delikat i sezonit, por aty duhet të tregojmë frymën e vërtetë, si dhe faktin që jemi në gjendje për të luftuar çdo minutë dhe në çdo cep të fushës, kjo me qëllimin për të shkuar te triumfi”, u shpreh fillimisht sulmuesi brazilian.
KUNDËRSHTARI DHE OBJEKTIVI
Danilo Alvesh nuk fshihet. Nëse te Flamurtari është thënë shpesh që nuk kanë objektiv, sulmuesi thekson se e duan vendin e dytë. Ai vlerëson kundërshtarin e radhës, por beson se kuqezinjtë mund ta hedhin pas krahëve momentin jo të mirë që kanë kaluar dhe ta mbyllin sezonin në mënyrën e duhur. “Kukësi ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë në përbërje dhe që kërkojnë rezultat për vendin e dytë. Por atë duam edhe ne, që të vijojmë luftën deri në fund si skuadër, me objektiv vendin e dytë në kampionat. Kemi kaluar një moment jo të mirë gjatë kësaj periudhe, teksa kemi lënë pikë mjaft të rëndësishme rrugës. Për fat të keq nuk kemi treguar atë që duhet si skuadër, por ka ardhur momenti t’i themi jo dhe fund kësaj periudhe. Duhet të shohim përpara, prandaj themi se ndeshja me Kukësin është mjaft e rëndësishme dhe në një pikë kyçe të sezonit aktual, pasi një fitore këtë të shtunë na bën që të jemi më optimistë për të ardhmen e skuadrës, si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Duhet vetëm të mendojmë dhe shohim përpara, pavarësisht vështirësive që do të hasim. Megjithatë jam i mendimit se kjo skuadër ka akoma çfarë të tregojë në lojën e vet, me qëllimin që të shkojmë në Europë. Ne duam ta bëjmë diçka të tillë. Natyrisht e shoh ndeshjen me Kukësin mjaft delikate dhe shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme. Pastaj gjithçka është në dorën tonë. Duam një ndeshje perfekte dhe të luftojmë deri në fund. Skuadra i ka këto mundësi për të shkuar përpara dhe jam i bindur për këtë qëllim”, deklaron Alvesh.
PËRGATITJET
Flamurtari ka zhvilluar një seancë stërvitore gjatë kësaj të enjte, ndërsa skuadra ka punuar me ritëm të lartë për ndeshjen me Kukësin. Përgatitje individuale për Muarem dhe Zhufo, ndërsa pjesa tjetër ka punuar normalisht. Braziliani mungon ndaj Kukësit për shkak dëmtimi, por edhe Muarem mbetet në dyshim për këtë sfidë. Pritet që rikthimi i tij në fushë të jetë vetëm ditën e mërkurë ndaj Skënderbeut në Kupën e Shqipërisë.