Zëvendëstrajneri i Partizanit foli në RTSH pas Partizani-Skënderbeu në vend të Starovës, i cili ishte i pezullua. Për Dalipin gjithçka funksionoi shumë mirë, përveç golit.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por objektivat për këtë ndeshje u realizuan në maksimum. Luajtëm një ndeshje të mirë, patëm raste të shkëlqyera me Trashin dhe Sukajn dhe me pak fat mund të shënonim.
“Sukaj? Kur u fut, u paralajmërua që do t’i vinte ndonjë shans i artë, por nuk pati fat kur doli i vetëm në fund, pasi u detyrua të gjuante me këmbën që nuk është e tij.
“Skema? Nuk luajtëm me 5 mbrojtës, ndryshe nga sa mendohet. Kotobelli është mbrojtës, por luan edhe si mesfushor. Sot luajtëm me 4-4-2, për t’i dhënë më shumë hapësirë sulmit. Me alternimet mes mbrojtjes e mesfushës, i jepnim më shumë mundësi të dilnin përpara Progni e Bardhi. Mundësitë i patëm, por nuk ia dolëm.
“Pozicionet jashtë loje fishkëllyer Partizanit? Për mendimin tim ishte pozicion i rregullt, duket edhe nga pamjet. Ka edhe një penallti ndaj Asanit, për mendimin tim.
“Pika të dobëta? E dimë forcën e Skënderbeut, ishim përgatitur për një ndeshje të vështirë, por në pushim i paralajmëruam lojtarët se ishte një ndeshje që mund të zgjidhej nga ndonjë episod, nga elementet cilësorë që mund ta zgjidhin ndeshjet. Ma vjen keq që nuk ia dolëm.
“Trajner për ndeshjen e sotme? Unë jam në dispozicion të Starovës dhe klubit, është nder të punoj për këtë klub dhe jam gjithnjë gati”.