Trajneri nuk do të ndryshojë formacionin për përballjen me Flamurtarin. Çani e nis sërish nga stoli. Sulmi i besohet Bardhit dhe Prognit
“Kam shumë besim te grupi im i lojtarëve dhe te sulmuesit. Shpërdorojmë shumë, por në 10 ditë ekipi po përthith filozofinë time të punës. Jam i kënaqur me ta”, – u shpreh trajneri Dalipi në konferencën për shtyp para ndeshjes me Flamurtarin. Nuk e dimë nëse këto fjali ishin “pilula” për të karikuar lojtarët e tij, për t’i pasur në krah, apo tekniku e ka me të vërtetë. Nuk ka grupin ideal, pasi të gjithë e pranojnë këtë në kampin e kuq, por duket se tekniku beson vërtetë te formacioni i tij me lojtarët e përzgjedhur. Kjo vërtetohet lehtë në formacionin titullar që ai do të hedhë në fushën e lojës. Numri një i stolit i ka idetë e qarta dhe nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshja me Vllazninë. Formacioni që luan mirë nuk ndryshohet është një filozofi që përdoret në kampin e kuq dhe Dalipi i qëndron kësaj ideje.
FORMACIONI – Numri një i stolit nuk ka shumë dyshime për formacionin titullar që do të hedhë nga minuta e parë në fushën e lojës. Në portë do të luajë portieri Alban Hoxha. Mbrojtja do të rreshtohet me katër. Ibrahimi do të luajë në krahun e djathtë, ndërsa qendra do të jetë me Gojkoviçin dhe Belicen, në krahun e majtë do të luajë Kotobelli. Mesfusha me Malën dhe kapitenin Batha. Asani në të djathtë dhe Trashi në të majtë. Sulmi do t’u besohet Bardhit dhe Prognit. Asnjë ndryshim në formacion nga trajneri Klevis Dalipi, pasi duket se ka gjetur stabilitet me skuadrën e tij dhe lojtarët që ka në dispozicion.
Surpriza në formacion, mungesat ndikojnë te Duro
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk e ka patur të thjeshtë ndërtimin e formacionit për ndeshjen kundër Partizanit. Numri një i stolit duhet të gjente zgjidhje për ndeshjen e sotme që do të luhet prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Duro do të përballet me ish-skuadrën e tij pa Bicajn dhe Siljanovskin që mungojnë për shkak kartonësh. Lajm i mirë është rikthimi i Pollozhanit. Lojtari do të jetë në fushë nga minuta e parë. Lajme të mira dhe nga Bushiç dhe Nedeljkoviç që janë stërvitur me grupin dhe mund të marrin minutat e tyre.
FORMACIONI – Në portë nga minuta e parë do të luajë Sali, pasi Nurkoviç nuk është ende gati. Mbrojtja do të rreshtohet me 4, pasi në krahun e djathtë do të luajë i riu Deliaj, ndërsa majtas do të Musta. Qendra do të formohet nga Pollozhani, i cili do të sakrifikohet në mungesë të Bicajt dhe Veliut. Mesfusha do të jetë me 3 lojtarë, pasi në krahun e djathtë do të jetë Sidibe, qendra është e Useinit, ndërsa krahu i majtë i Zukas. Sulmi do të përbëhet nga Zhufo dhe Alveshi nga krahët dhe Bushiçi në qendër të sulmit.
Formacionet e mundshme
Partizani: Alban Hoxha – Ibrahimi, Gojkoviç, Belica, Kotobelli – Mala, Batha – Asani, Trashi, Bardhi, Progni.
Flamurtari: Sali – Deliaj, Pollozhani, Veliu, Musta – Sidibe, Useini, Zuka – Zhufo, Bushiç, Alvesh