Trajneri i Skënderbeut deklaron se nga sot nuk do të ketë më prova për formacion. Ai thekson se do të zbresin në fushë ata që kanë gjendjen më të mirë
Leonard Trebicka
“Për deklaratën time pas Besëlidhjes, ku është thënë se nga mediet se lojtarët e rinj nuk do të kenë më shanse të jenë në fushë, dua të jap një sqarim. Lojtarë të rinj në ekip kemi pak, pasi ata që janë kanë eksperiencën e duhur për të përballuar ndeshjet e kampionatit. Pëllumbi, i cili është i ri, ka bërë mirë sa herë i është dhënë mundësia. Deklarata ime kishte të bënte me faktin që ndaj Besëlidhjes u dhamë mundësi të gjithëve dhe tani tutje çdo lojtar duhet ta meritojë fanellën e titullarit, nuk ia dhurojmë askujt.” Kështu e nisi trajneri Daja intervistën e djeshme, duke sqaruar këtë çështje. Trajneri kryeqytetas theksoi nga Durrësi se ndeshja e sotme me Lushnjën është vlerësuar drejt, pasi nuk është aspak e lehtë.
– Daja, pas humbjes ndaj Laçit një javë më parë, a është detyrim fitorja nesër (sot) ndaj Lushnjës?
– Na pret një tjetër takim i rëndësishëm përballë Lushnjës në transfertë. Është një ndeshje delikate dhe për këtë jemi të vetëdijshëm, por duhet të kemi të qartë se Skënderbeu në çdo takim kërkon tri pikët me çdo kusht. Kjo është arsyeja pse ne pretendojmë titullin. Duam të marrim maksimumin në çdo ndeshje.
– Sa e vështirë është kjo transfertë ndaj ekipit të vendit të fundit?
– Si çdo takim tjetër në kampionat, edhe ky ndaj Lushnjës është i vështirë. Kundërshtari ka pikat e veta të forta dhe vjen me moralin lart pas fitores ndaj Kukësit. Për këtë them se do të jetë një ndeshje e vështirë. Gjithsesi, jemi të përqendruar dhe kemi rikuperuar lodhjen, që ndikoi mjaft edhe në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, përveç të tjerave.
– A e keni analizuar kundërshtarin dhe nëse po, cilat jenë pikat e forta të tij?
– Sigurisht që jemi marrë me analizën e kundërshtarit dhe mund të them se Lushnja ka zhvilluar ndeshje të mira, por i ka munguar goli. Do të kenë mbështetjen e tifozëve dhe ky është një plus për ta. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të imponojmë mënyrën tonë të të luajturit. Nëse diktojmë në fushë dhe zhvillojmë lojën që duam, do të dalim ne të fituar.
– Në fazën e parë Skënderbeu e mundi thellë Lushnjën, 4-1…
– Nuk ka lidhje ndeshja e fazës së parë me këtë që do të luajmë nesër (sot). Në fazën e parë luanim në shtëpi, ndërsa këtë herë lushnjarët do të përpiqen të shfrytëzojnë faktorin fushë. Plus kësaj, unë e thashë se ata vijnë me moral të lartë pas fitores javën e kaluar dhe këto janë dy pluse për kundërshtarin. Do të bëjmë lojën tonë, kjo më intereson si trajner.
– Si vjen Skënderbeu në këtë takim?
– Kemi rikuperuar lodhjen e ndeshjeve të Europës dhe disa lojtarë që ishin të dëmtuar. Kthimi i Vangjelit, rikuperimi i Radasit por edhe kthimi në ritëm i Jashanicës besoj se do të na ndihmojnë shumë. Kemi katër mungesa, por do të mundohemi t’i mbulojmë sa më mirë të jetë e mundur.
– Përfundimi i ndeshjeve europiane, do të ndikojë për mirë te Skënderbeu apo mund të ketë mosimpenjim?
– Jo, nuk e mendoj kështu. Jam i bindur që impenjimi gjithmonë do të jetë në maksimum për vetë faktin se kampionati është objektivi ynë primar. Për këtë duhet të derdhim djersë që ta fitojmë. Nëse do të ketë mosimpenjim të lojtarëve, atëherë edhe stoli është gati për të gjithë. Janë gjëra që i përjashtoj të ndodhin, pasi e di që ekipi është i përqendruar maksimalisht.
– Në ndeshjen e fundit keni theksuar që disa lojtarë nuk meritojnë më shanse…
– Nuk ishte kështu deklarata ime. Lojtarë të rinj në ekip kemi pak, pasi ata që janë kanë eksperiencën e duhur për të përballuar ndeshjet e kampionatit. Pëllumbi, që është i ri, ka bërë mirë sa herë që i është dhënë mundësia. Deklarata ime kishte të bënte me faktin se ndaj Besëlidhjes u dhamë mundësi të gjithëve, ndërsa tani e tutje çdo lojtar duhet ta meritojë fanellën e titullarit, nuk ia dhurojmë askujt.