Cungu takon drejtuesit e Skënderbeut, rrezikon Daja?

0

Takim në Tiranë, nuk dihet arsyeja. Megjithatë, diçka po lëviz dhe nuk është çudi që në Korçë të planifikojnë ndonjë revolucion

Jurgen Zela

Ku ka zë, nuk është pa gjë: në gazetari mjafton kaq për të ndërtuar një histori që shpesh nuk është reale apo 100% e vërtetë, por nëse pastaj gjithçka shoqërohet me foto, atëherë nuk ka më vend për aludime. Ditën e djeshme Armando Cungu ka qenë në Tiranë dhe është takuar me presidentin e Skënderbeut Ardjan Takaj dhe drejtuesit e tjerë të lartë të Skënderbeut. Rastësi? Takim sa për një kafe miqsh? Vështirë të jetë kaq e thjeshtë, sepse dihet që Cungu është në treg dhe para pak ditësh u shpreh se është në bisedime me një klub në Superiore, por ai nuk është Kukësi.

TAKIMI – Në një nga lokalet luksoze të ish-Bllokut janë paraqitur Ardjan Takaj, Shkumbin Qormemeti, Haris Fakiç e drejtues të tjerë, ndërsa mes tyre ishte edhe Armando Cungu. Një kafe, atmosferë miqësore dhe një bisedë që ka zgjatur goxha, ndaj është e lehtë të imagjinohet që nuk ka qenë një takim i rastësishëm, aq më shumë që të gjithë shkuan njëkohësisht në lokal dhe u larguan pak a shumë në të njëjtën kohë. Arsyet e takimit mbeten të fshehta, pasi është e qartë që asnjë nga personat e pranishëm nuk mund të tregojë ndonjë gjë, çfarëdo që të jetë biseduar, por është një takim që ngre shumë pikëpyetje.

RREZIKON DAJA? – Është absurde ta thuash, por ndoshta Ilir Daja nuk e ka vendin të sigurt në Korçë. Humbja e fundit, ndaj Laçit, ndoshta ka lëkundur pozitat e tij, përtej justifikimit për lodhjen nga ndeshja kundër Jang Bojs në Bernë. Skënderbeu mbetet i pari, i shkëputur, shkëlqeu edhe në Europa League këtë vit dhe zor se në Korçë prisnin më shumë se aq, por nga ana tjetër kohët e fundit ka “re të zeza” mbi trajnerin e korçarëve. Disa lojtarë janë të pakënaqur me aktivizimin e paktë, disa të rinj nuk po gjejnë hapësirë dhe nuk po reklamohen ashtu si duan drejtuesit dhe në këtë pikë, nëse në dy ndeshjet e radhës vjen ndonjë hap tjetër i gabuar, gjithçka mund të ndodhë. Në letër, ka pak gjasa që Skënderbeu të lëshojë pikë në dy ndeshjet e radhës, kundër Lushnjës e Teutës, por nëse nuk merren 6 pikë, mund të shohim ndonjë “tërmet”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.