Trajneri i bardhekuqve nuk dëshiron të bëjë parashikime për kohën e zyrtarizimit të titullit, por ka bindjen se sot skuadra e tij do të kthehet te rezultati pozitiv
Leonard Trebicka
“Titulli është në dorën tonë, nuk ka asnjë dyshim. Nuk jam në gjendje të them, nëse do ta mbyllim pas një, dy apo tri javësh, por në fund do të festojmë”, – ka theksuar një ditë para ndeshjes ndaj Laçit trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ai e konsideron këtë transfertë mjaft të vështirë, pasi e vlerëson maksimalisht kundërshtarin: Do të jetë ndeshje e luftuar. Kemi parasysh faktin që transferta e Laçit mbetet nga më të vështirat. Me këtë ekip kemi dy fitore dhe një humbje, – ka shtuar Daja. Ja dhe intervista e plotë e tij për Sport Ekspres:
– Si e shikoni takimin në Laç, ku ju vini pas humbjes në shtëpi me Kukësin?
– Natyrisht që pritet të jetë ndeshje e fortë. Laçi ka pretendimet e veta dhe normalisht nuk është kundërshtar i lehtë për tu kaluar. Nga ana tjetër, do të kërkojmë me çdo kusht për tu afruar me titullin kampion. Prandaj pritet të jetë një ndeshje e luftuar. Kam parasysh faktin që transferta e Laçit është nga më të vështirat.
– Humbjen e parë në kampionat ua ka shkaktuar pikërisht Laçi. I druheni faktit se mund të përsëritet ndeshaj e fazës së dytë?
– Është e vërtetë që në Laç kemi humbur për herë të parë këtë sezon, por kemi bilanc pozitiv me këtë kundërshtar. Vijmë nga një humbje në shtëpi dhe do të kërkojmë që të japim maksimumin për tu rikthyer me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.
– Fitorja është alternativa e vetme, apo do ta pranonit edhe barazimin?
– Skënderbeu luan gjithmonë për të marrë tri pikët, pavarësisht fushës dhe kundërshtarit. Kështu, kemi bërë përgatitjet e duhura për të marrë rezultatin që duam në këtë ndeshje. Jam i bindur se futbollistët do të japin më të mirën, atë që kanë dhënë edhe në seancat stërvitore të këtyre ditëve të fundit.
– Pas humbjes me Kukësin, çfarë duhet të ndryshojë ekipi?
– Mendoj se nuk duhet të ndryshojmë asgjë, ose gjëra të vogla. Ndaj Kukësit, pavarësisht se humbëm, kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Në pjesën më të madhe të lojës kemi mbajtur kundërshtarin në pritje në gjysmëfushën e tij dhe kemi qenë ne që kemi diktuar. Por u shtymë shumë nga ana emocionale dhe nuk ishim të kthjellët në finalizim. Kjo është e vetmja arsye që e humbëm atë takim.
– Mungesat e Micit dhe Osmanit e bëjnë më të vështirë këtë takim?
– Normalisht, janë lojtarë të rëndësishëm, por jemi mësuar me mungesat. Kampionati i ka të tilla problematika dhe nuk kemi pse të ndalemi shumë në këto gjëra. Do të mundohemi që me organikën që kemi të mbushim hapësirat. E kemi përgatitur gjatë gjithë javës këtë ndeshje. Mbetet vetëm analiza me video në orët e vona të mbrëmjes së sotme (djeshme) dhe do të jetë gjithçka gati.
– Katër pikë në pesë javë ju duhen për titullin. Duke parë kalendarin, a është e komplikuar situata?
– Absolutisht jo. Titulli është në dorën tonë dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Nuk jam në gjendje të them, nëse do ta mbyllim pas një, dy apo tri javësh, por në fund do të festojmë ne.
– Së fundi, a keni menduar t’u jepni më shumë minuta në këto pesë javë të fundit lojtarëve që kanë luajtur më pak?
– Po, e kam menduar. E kam thënë edhe më herët se do të jetë mirë për ata lojtarë që në këto javë të fundit të tregojnë vlerat e tyre. Sigurisht, pasi të mbyllim çështjen e titullit, do të ketë edhe rotacion, por jo në masën 100%. Të mos harrojmë se kemi edhe një tjetër finale për të luajtur, atë të Kupës së Shqipërisë përballë Laçit.