Edmond Dosti është gjithnjë zëri që i thotë gjithnjë hapur kritikat kur vjen puna te ekipi i tij i zemrës. Partizani ka lënë pikë me ekipe që nëse do të gjykohen në bazë të renditjes në tabelë, atëherë 3 pikët duhet të ishin të sigurta. Por diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe legjenda e të kuqve ka folur hapur për pakënaqësinë e tij me lojtarët.
Në një intervistë për emisionin e moderuar nga Drilon Xhepollari, “Sport Magazine” në “Ora News“, Dosti shprehet se disa futbollistë te Partizani janë të përkëdhelur dhe nuk po japin më të mirën e tyre në fushë. Sipas tij Daja duhet të veprojë me dorë të hekurt.
“Unë pashë një Partizan, për mendimin tim, pa personalitet. Pashë lojtarë që nuk janë shumë të impenjuar. Lojtarë që janë shumë të përkëdhelur, mendojnë se te Partizani mund të luash lehtë. Kam parë një ndeshje shumë të dobët të Partizanit.
Ilir Daja duhet të ketë pak dorë më të hekurt te Partizani. Më shqetëson impenjimi i disa lojtarëve, që nuk po japin 100% që duhet të japin. E ka edhe ekipin edhe kualitetin për ta fituar këtë kampionat. Por e shikoj që me ekipet e vendeve të fundit ka shumë probleme, nuk e zgjidhin dot lojën. Unë kam 3 vjet që flas për sulmin e Partizanit.
Ia kam thënë edhe personalisht Ilir Dajës, që duhet patjetër të zgjidhë sulmin. Është një nga pozicionet që po çalon për momentin. Këmbëngul që nuk po shoh impenjim të disa lojtarëve. Do pres dhe derbin, pastaj do ti them gjërat ashtu siç gjithmonë i kam thënë, drejtëpërdrejtë dhe me emër. ”, ka thënë Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/