Trajneri i bardhekuqve flet për trofeun e titullit, që e do sa më parë, Kombëtaren, kupën, por edhe për këto javë që kanë mbetur deri në fund
Leonard Trebicka
“Për anën sportive ndjehemi të respektuar, sepse gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk janë tifozë të Skënderbeut, e thonë se kjo skuadër është më e mira. Jemi të impenjuar të bëjmë detyrën tonë në fushë, për çështjen e UEFA-s ka të tjerë persona që merren. Mendoj që atmosfera në Korçë do të jetë e zjarrtë, kur titulli të sigurohet, pasi që tani është shumë shpejt dhe duhen edhe 10 javë”, – ka thënë dje nga Tirana, ku kaloi 48 orët e pushimit, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ai ka folur edhe për Kombëtaren dhe shortin e kupës që hidhet sot, duke deklaruar se nuk ka asnjë preferencë. Ja intervista e plotë për “Sport Ekspres” e trajnerit Daja:
– Daja, a vjen në momentin e duhur kjo ndërprerje e kampionatit për Skënderbeun?
– Do të theksoja së pari se pas impenjimit tepër të madh që kishim gjithë këtë periudhë, e kishim të nevojshëm një dyditësh pushim. Por kjo mbaron nesër (sot) dhe do të rifillojmë me të njëjtin impenjim, madje me dy stërvitje në ditë. Kemi kohë një javë deri në ndeshjen e radhës.
– E rifilloni stërvitjen në Korçë me shumë mungesa. E dëmtojnë ato programin tuaj stërvitor?
– Patjetër që në momentin që ekipi është i limituar, stërvitja nuk mund të jetë e plotë. Por, nga ana tjetër, është kënaqësi e madhe që disa lojtarë të Skënderbeut janë të impenjuar me ekipet kombëtare dhe kjo tregon se drejtoj një ekip me shumë cilësi.
– Lojtarët e impenjuar me kombëtaret do të bashkohen me ekipin vetëm të martën…
– Problemi në këtë rast është ruajtja e gjendjes fizike, sepse dihet që një lojtar që është pjesë e Kombëtares në grumbullim, merret edhe me anën taktike. Dhe e keqja është se për disa nga lojtarët që janë pjesë e këtyre miqësoreve, impenjimi në seancat stërvitore nuk ka theks fizik, siç stërvitet grupi në Korçë. Ana taktike nuk më shqetëson shumë. Kemi një vit që punojmë në grup dhe këta futbollistë i dinë mirë detyrat e tyre.
– Duhen edhe 15 pikë që matematikisht të sigurohet titulli, kur kanë mbetur edhe 10 javë. Si e mendoni vazhdimin?
– Skënderbeu e siguron titullin, vetëm kur ta ketë bërë matematikisht këtë gjë, por ajo që më intereson është që ekipi duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, të njëjtin motivim.
– Nuk po shikojmë atë atmosferë të zjarrtë të viteve të kaluara, kur fitoheshin titujt kampionë. Pse, sipas jush?
– Të shohim momentin kur ta sigurojmë trofeun matematikisht se çfarë do të ndodhë. Ndoshta ka më shumë se një fazë, prandaj nuk po ndjehet ajo që ju po më pyesni.
– Mos ndoshta Skënderbeu është ngopur me trofe, apo e ka më shumë mendjen te vendimi që do të japë UEFA?
– Për anën sportive ndjehemi të respektuar, sepse gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk janë tifozë të Skënderbeut, e thonë se kjo skuadër është më e mira. Jemi të impenjuar të bëjmë detyrën tonë në fushë, janë të tjerë persona ata që merren me UEFA-n.
– Po diçka për ekipin tonë kombëtar, që luan të hënën e ardhshme, çfarë mund të thoni?
– E para, si çdo shqiptar, në aspektin e tifozit, i uroj suksese me gjithë zemër. E dyta, në këtë moment janë edhe dy lojtarë të Skënderbeut dhe do ta ndjek ndeshjen me shumë vëmendje, si tifoz dhe si teknik për të parë Lilajn dhe Gavazajn.
– Në 10 ndeshjet e mbetura luani katër herë në shtëpi dhe 6 herë në transfertë. E vështirëson kjo gjë punën tuaj?
– Nuk besoj se e vështirëson, pavarësisht se faza e fundit e kampionatit do të jetë shumë më e ashpër, sepse çdo ekip ka objektivat e veta. Skënderbeu nuk e ka problem të luajë si në shtëpi, apo edhe në transfertë.
– Ndeshja e radhës në Shkodër, ku Vllaznisë i duhet më shumë se kurrë fitorja…
– Përveç faktit që jemi të shkëputur nga ndjekësit dhe drejtojmë bindshëm kampionatin, duhet të vazhdojmë duke mos na udhëhequr zemra, pavarësisht vështirësive te Vllaznisë. Nuk është e drejta ime të mendoj me doza emocionale. Duhet të mendoj si profesionist dhe ndaj Vllaznisë do të bëjmë punën tonë. Jo vetëm ndaj shkodranëve, por në çdo javë deri në fund, do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën dhe për të bërë Skënderbeun që kemi bërë deri tani.
– Më pas në Vlorë, ndaj Flamurtarit?
– Të përqendrohemi te Vllaznia nga nesër (sot) dhe të mendojmë vetëm për atë ndeshje.
– Cila skuadër mendoni se është më e rrezikuar për të rënë nga Superliga, Teuta apo Vllaznia?
– Nuk e di, varet nga pikët që do të grumbullojnë në vazhdim dhe le t’ia lëmë më mirë fundit të kampionatit.
– Po për luftën që po bëhet për Europën, keni ndonjë koment?
– Ndjek me vëmendje ekipin tim, nuk më intereson pjesa tjetër. Ajo që dua të them është fakti se në Europë duhet të shkojnë skuadra që e meritojnë, sepse duhet një përfaqësim dinjitoz, siç kemi bërë ne vitin e kaluar.
– Së fundi, mendoni se do ta mbyllni çështjen e titullit për 5-6 javë, apo më parë?
– Mendoj se të vazhdojmë me të njëjtën performancë edhe në vazhdim dhe sa më shpejt ta sigurojmë, aq më mirë do të ishte për ne.