Daja: Reaguam vonë, ky ishte problemi ynë

Goli i Muzakës e ka çliruar në fund trajnerin e Skënderbeut, Ilir Dajën, i cili nuk donte kurrsesi që skuadra e tij të humbiste në Vlorë. Duke pasur parasysh mungesat, u shpreh i kënaqur me barazimin. Daja tha se priste më shumë në pjesën e parë, ndërkohë që veçon faktin se kalendari po e lodh skuadrën e tij. “Barazimi ishte rezultati më i drejtë për këtë ndeshje. E nisëm jo mirë dhe duhej të ishim më të qetë në administrim. Edhe mungesat kanë ndikimin e tyre, pasi bëhet fjalë për lojtarë si Jashanica, Lilaj apo dhe Nimaga. E vumë disa herë në vështirësi kundërshtarin, që u mundua të na godiste vetëm me goditjet standarde. Jam i kënaqur për mentalitetin e treguar në pjesën e dytë, por jo nga pjesa e parë. Lojtarët që u futën duhet të mbajnë ritmin e titullarëve, që të mos harxhojmë kot energji. Është java e parë e fazës së dytë dhe ka përpara shumë ndeshje. Nëse do të mbajmë këtë ritëm, jemi në rrugën e duhur.”

REAGIMI – “Në këtë ndeshje loja kishte dy pamje: në pjesën e parë nu luajtëm mirë dhe në të dytën treguam forcë karakteri. Nuk duhet t’i lëmë gjërat të shkojnë ashtu në pjesën e parë dhe të reagojmë në pjesën e dytë. Duhet të tregojmë forcën tonë që në fillim të ndeshjes”.

SHKODRA – “Nuk e kam parë reagimin e Shkodrës. Do ta shikojmë me qetësi çfarë ka bërë, brenda ekipit duhet të ketë frymë grupi. Ndoshta ka qenë i mërzitur më shumë nga paraqitja sesa nga ndërrimi. Do ta trajtojmë me qetësi këtë gjë, jo tani. Nëse gjesti ka qenë në kundërshtim me rregulloren e klubit, do të shohim. Për sa u përket aktivizimeve, ata që kanë luajtur në fazën e parë, e kanë merituar. Kemi bërë zgjedhjen më të mirë me lojtarët që kemi”.

SOUE – “Një lojtar që vjen nga avioni, nuk futet në fushë, por nëse ka luajtur, ka ritmin e duhur. E vetmja problematikë ishte ngarkesa, por nuk kishim të gatshëm edhe Nesporin, kështu që u detyruam ta hedhim Souenë në fushë. Nuk e kemi marrë nga pushimet, pasi është në ritëm. A ishte kjo data e duhur për të zhvilluar ndeshjen? Nuk ishte e duhura, pasi kishim 4 lojtarë me përfaqësueset dhe është mjaft e lodhshme”, – është shprehur trajneri i korçarëve. Skuadra e tij nuk e njeh ende humbjen pas 10 javëve të para të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *