Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është shfaqur sot para gazetarëve për të folur për sfidën e nesërme në kupë kundër Teutës, sfidë që duket se ka marrë fund që në Durrës, pasi rezultati 2-0 në favor të korçarëve e bën thuajse pa vlerë sfidën e kthimit.
Gjithsesi, Daja tregohet i matur, duke paralajmëruar ndryshime në formacion, por me karar, pasi sipas tij skuadrës i bën mirë të jetë në ritëm, pa luhatje, edhe pse lojtarët e stolit duhet të tregojnë se e meritojnë të luajnë.
“Do të respektojmë 90-minutëshin e radhës që të kthehemi në performancën që kemi pasur, pse jo ta përmirësojmë atë. Jemi të dyzuar për formacionin dhe po diskutojmë me stafin. Së pari, çdo lojtar që luan më pak ka 6 ditë kohë të tregojë formën e vet dhe të na thotë: jam edhe unë këtu, pjesë e rëndësishme e ekipit. Së dyti, ndonjë lojtar që ka pasur probleme shëndetësore, siç është Jashanica, i cili ka një dëmtim të lehtë, mund ta ruajmë. Do të shohim se çdo të bëjmë nesër, rotacion apo minutazh për ritmin e duhur.
“Natyrshëm që 11 pikë diferencë në kampionat na japin qetësi, por që të nesërmen e ndeshjes me Flamurtarin kemi folur dhe duam ta ruajmë këtë standard, pse jo ta thellojmë më tej, duke përmirësuar lojën tonë.
“Më pas do të fokusohemi te Kamza, me të cilën kemi dy barazime në këtë kampionat. Kjo bën që ta vlerësojmë maksimalisht, sepse në fund të fundit, 3 pikët janë njësoj si ndaj Flamurtarit dhe Kukësit, ashtu edhe ndaj Kamzës, etj. Veç Vangjelit, i cili mungon për kartonë, do të shkojmë në Tiranë për të marrë tre pikët”.