Trajneri i Skënderbeut: Më shqetësojnë mungesat e shumta. Objektivi ynë nuk është vetëm kampionati, por dhe Kupa e Republikës
Leonard Trebicka
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli para ndeshjes me Partizanin. Numri një i stolit foli për rëndësinë e takimit, mungesat që ka para kësaj ndeshjeje. Daja beson se do t’ia dalë mbanë dhe me lojtarët që ka në dispozicion. Tekniku korçar foli për “Sport Ekspres” para ndeshjes së nesërme duke vendosur pikat mbi “i”.
– Sa e rëndësishme është ndeshja kundër Partizanit?
– Si ç’do 90 minutësh tjetër, por në këto vitet e fundit përballjet ndaj Partizanit kanë qenë sfida më të luftuara, për shkak të rivaliteti, kontingjentit apo pikavarazhit.
– Mungojnë Soue, Xhejms, Shehi, pa thënë e ndonjë tjetër. Si do ta zgjidhni formacionin me kaq shumë mungesa?
– Janë vërtet mungesa të rëndësishme, pasi këta që mungojnë janë lojtarët kryesorë të skuadrës. Kemi edhe një seancë të fundit ditën e diel për të vendosur për modulin e lojës, apo edhe për lojtarët që do të startojnë nga fillimi këtë takim.
– Mendoni se do ja dilni edhe të hënë?
– Mua si trajner më shqetëson fakti se kam një grup të vogël futbollistësh në stërvitje. Sigurisht me këto nuk dua të nxjerr justifikime, pasi nuk është hera e parë që ne do të luajmë me kaq shumë mungesa, por gjithmonë kemi dhënë më të mirën.
– Pse kanë ardhur kaq shumë mungesa në këtë gjysmë të sezonit?
– Është krejt normale të kesh mungesa dëmtimesh në këtë periudhë. Kemi bërë aq ndeshje sa kanë bërë edhe ekipet më të mëdha në Europë. Janë thuajse 50 takime deri tani, për të mos thënë edhe më shumë, këto duke filluar nga Europa League dhe deri te superliga dhe Kupa e Shqipërisë. Pra, mungesat i dinim që do të ishin prezente në fundin e kampionatit.
– Skënderbeu thonë që e ka potencialin e duhur edhe në stol dhe ky është një plus i madh për këtë ekip. E vërtetë një gjë e tillë?
– Atëherë, për të qenë i sinqertë, ka dy grupime lojtarësh dhe kjo është edhe filozofia e klubit. Ka lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë dhe grupi i dytë është grupi i të rinjve me prespektivë, të cilët duan kohën e duhur për t’u përshtatur me kërkesat e klubit.
– Nimaga në sulm, gjë që e keni bërë edhe më parë, apo pse jo edhe Muzakën?
– Do t’i përdorim të gjitha alternativat dhe jo vetëm këta që të dy emra që ju përmendët. Por, sigurisht pa prishur mënyrën e lojës dhe mbetet koha e vet deri të hënë për të vendosur.
– Dy ndeshje të forta në harkun kohor të katër ditëve. Me Partizanin të hënë dhe ndaj Kukësit të premten tjetër në Korçë. Takime që ju çojnë drejt titullit kampion?
– Dua ta nis me diçka përgjigjen e kësaj pyetjeje. Po bëhen të bezdisshme disa lajme që dalin nëpër portale të ndryshme në rrjetet sociale. Një ditë më parë gjëja më e ulët është se portalet kanë cituar fjalët e mia, ndërkohë që nuk kam folur asnjë fjalë për Kukësin. Aq më tepër që unë dhe ekipi gjithmonë flasim vetëm për ndeshjen e radhës dhe as e kemi menduar Kukësin që tani. Për mua dhe ekipin është shumë i rëndësishëm Partizani. Do bëjmë të njëjtën gjë kur të fokusohemi pas së hënës vetëm për Kukësin. Jam shumë i mërzitur me ato që janë thënë një natë më parë në emrin tim dhe turp për të gjithë ata që i bëjnë këto gjëra dhe nuk dinë çfarë të trillojnë.
– Mendoni se do të jetë Skënderbeu i Dajës ai që do të futet në histori me dy trofe të fituara?
– Në fakt çdo trajner ka objektiv trofetë dhe fitimin e tyre. Kjo është një sfidë personale. Skënderbeu dhe Daja kanë bërë deri tani atë që duhet të bëjë një ekip. Ka ruajtur një skuadër cilësore dhe që është ekipi më i mirë në Shqipëri. Kështu që na mbetet të bëjmë një finish të mirë siç e kemi bërë, të fitojmë titullin së pari dhe pastaj të sjellim në Korçë trofeun e munguar.
– Daja, po flitet që tani për emra futbollistësh që do të vijnë në merkaton verore. U fol Bregu, po ashtu portieri Koliçi dhe u fol së fundi edhe Fejzullahu. Keni ndonjë koment?
– Nuk kam asnjë koment, sepse jemi të fokusuar te mbyllja e edicionit të them të drejtën dhe nuk kemi bërë asnjë lloj bisede për këtë që thoni.
– A ju intereson ndeshja e Kukësit me Laçin?
– Ne na intereson çdo kundërshtar që nga Kukësi dhe deri te Lushnja që matematikisht ka rënë nga Superliga. Do të rishoh pas së hënës edhe ndeshjen mes Laçit dhe Kukësit që do të luhet të dielën.
– Së fundi, Skënderbeu i këtij sezoni ka qenë më shumë se i fortë në përballjet me të mëdhatë, ku nuk është mundur asnjëherë. Ky ndoshta është sekreti i Skënderbeut të Dajës?
– Natyrshëm që të flasësh për ekipin që drejton dhe për sukseset që kemi arritur, janë rezultatet ato që na japin të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë. As në Europë nuk jemi mundur të shtëpinë tonë, në kampionat jemi 12 pikë përpara me ndjekësin më të afërt, shto çdo rival që nuk na ka mundur dot dhe them se këto janë fryt i punës që kanë bërë futbollistët e Skënderbeut, kontigjenti i lojtarëve dhe padyshim edhe një pjesë, meritë e stafit. Çelësi i suksesit të këtij Skënderbeu është bashkëpunimi i shkëlqyer dhe mbështetja e tifozëve, të cilët janë simbol i një qyteti me kaq emër në Shqipëri.