Korçarët kanë mbyllur dje në mbrëmje përgatitjet për ndeshjen e sotme. Në mëngjes, skuadra dhe drejtuesit kanë udhëtuar nga Selaniku drejt Kievit, për t’u akomoduar në hotel në mesditë. Në mbrëmje, në orën 19:00, Skënderbeu ka bërë seancën e fundit stërvitore për gati 60 minuta, aq sa ishte programuar nga drejtuesit e UEFA-s, prezentë në këtë seancë. Në 15 minutat e para seanca ka qenë me dyer të hapura, kurse më pas drejtuesit nuk kanë lejuar askënd në stadium dhe Daja ka punuar i qetë me të tijtë. Skema taktike, ushtrime dhe në fund pak lojë. Lojtarët u përshtatën me terrenin dhe gjithçka është gati tashmë.
Trajneri Ilir Daja thuajse e ka vendosur formacionin. Ka pasur disa alternativa për vendin e lënë bosh nga Nimaga në mesfushë, por, siç “Sport Ekspres” ka bërë me dije, në krah të Lilajt do të jetë Bruno Dita, për shkak të shtatlartësisë. Kjo është zgjedhja, që ka bërë trajneri Daja dhe duket se 99% është mbyllur formacioni. Emrat e tjerë janë të njëjtët dhe skema e lojës do të jetë e zakonshmja, 4-1-4-1. Skënderbeu do të luajë i ngjeshur në mesfushë dhe përpara zonës së 16-metrave, ndërkohë që do të aplikohet në këtë transfertë kundërsulmi.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Gavazaj, Lilaj, Dita, Xhejms – Soue