Daja ka një peng: Kush ka dinjitet, të na kërkojë falje për flirtin me Flamurtarin

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, buzëqesh, Skënderbeu i tij është një makineri perfekte, që fshin kë i del përpara, pa pyetur për asgjë.

“Kthesa jonë kishte filluar që në ndeshjen e kampionatit në Vlorë, edhe pse dikush në media u mundua ta njolloste. Ne kemi një skuadër mjaft cilësore, por Flamurtari pati meritën që fitoi në Korçë, duke na vënë në vështirësi. Megjithatë, skuadra jonë ka eksperiencë dhe karakter, ndaj gjeti forcën të reagonte, duke shkuar në gjysmëfinale.

“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë paralelisht, duke përballuar Europën, kampionatin dhe kupën. Ky lloj rrugëtimi nuk ka pasur luhatje, përveç ndonjë momenti të izoluar, ndikuar edhe nga situata e klubit me vendimet e UEFA-s. Kemi treguar karakter deri tani dhe e kemi menaxhuar mirë gjithçka. Jemi në vitin e duhur për të fituar edhe kupën, që nuk e kemi fituar asnjëherë.

“Objektivi ynë kryesor është kampionati, por objektivi i dytë është kupa. Kam qenë dy herë në gjysmëfinale me Dinamon e Elbasanin, një herë në finale me Skënderbeun vjet, si duket ka ardhur koha që ta thyejmë këtë tabu, si Skënderbeu, ashtu edhe unë.

“Laçi në finale? Të them të drejtën, edhe pse është eliminuar Kukësi, ashtu si Flamurtari, të dy kanë bërë mirë deri në këto momente. Me sistemin e eliminimit kështu ndodh, dy ekipe dalin. Nuk kishim preferenca për shortin, jemi të kënaqur që kemi shkuar në finale, tani kemi përballë Laçin, që ashtu si ne ka pasur një rrugëtim të shkëlqyer deri në finale.

“Shehi? Është krahu im i djathtë, kapiten i ekipit dhe pjesë e stafit. Sot ishim të shtuar në staf, pa mohuar meritat e asistentëve të mi të zakonshëm. Shehi është një motivues i jashtëzakonshëm dhe me të bëhen gjërat më të lehta, motivimi i skuadrës shtohet. Shehi ka qenë gjithnjë i rëndësishëm, në fushë apo në stol, por nuk duam të lënë të bashkohet me stafin, sepse na duhet në fushë dhe ka ende për të dhënë.

“Loja? Në pjesën e parë nuk ishim aty ku duhej, kërkova nga skuadra që të luante më shumë nga krahët, ashtu si erdhën edhe golat.

Duro largohet: “Më vjen keq, e kam koleg dhe e kam mik, nuk më vjen mirë. E di sa e vështirë është të drejtosh në Superiore, më vjen keq sepse ky është profesioni ynë. Dorëheqja nuk është e mirë, e kam brë edhe unë në dy-tre raste, por kur fitojmë, fitojmë të gjithë, kur mundemi, nuk paguan një person i veçantë.

Pengu: “Kush ka dinjitet, të kërkojë falje publike, sepse është shkruar që kemi flirtuar me Flamurtarin, duke i falur kupën për fitoren në kampionat. Kush ka burrëri, le të flasë, përndryshe të vazhdojë punën e vet si deri tani”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *