Trajneri i Skënderbeut ka pohuar dje se, nëse përgjigja nga CAS-i do të vonojë ende, atëherë do të jetë problem për përgatitjen fizike të skuadrës
“Çdo ditë që kalon, duke filluar nga sot, në lidhje me përgjigjen që po vonon nga CAS-i, nuk do të ishte pozitive për Skënderbeun. Këtë e pranojmë. Që ekipi të rifitojë formën më të mirë, duhet të ketë në dispozicion katër javë përgatitje. Këto llogari janë bërë, pasi pas një muaji luajmë ndeshjet e para dhe në atë moment duhet të jemi në gjendjen më të mirë psikofizike. Sa për firmën time me Skënderbeun, është thjesht formalitet, pasi parimisht me presidentin Takaj e kemi mbyllur” – ka theksuar dje për Sport Ekspres trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ai ka folur sigurisht për ankthin e pritjes së gjatë për vendimin e CAS-it. Trajneri Daja ka pohuar se ka biseduar me presidentin dhe ka marrë garanci maksimale se Skënderbeu do të luajë në Champions.
VONESA – “Sapo jam kthyer në Tiranë, por edhe kur isha me pushime jam interesuar çdo sekondë për ekipin, kuptohet, më shumë për përgjigjen e CAS-it. Jemi në limitin e kohës për të përgatitur skuadrën. Ky është momenti, kur duhet të fillojmë përgatitjet, por nuk mund ta bëjmë pa dalë vendimi. Duhet të dalë brenda këtyre orëve, ndryshe do ta kemi të vështirë për të përgatitur skuadrën”.
FAZA – “Ne si ekip, nuk punojmë sot për sot, edhe fazën e kemi përgatitur prej javësh në letër, por pritet të zbatohet praktikisht. Mos harroni se programin stërvitor individual ua kam dhënë të gjithë lojtarëve që kur mbyllëm sezonin dhe këto pushime kanë qenë aktive për ta. Nëse do të ketë nga ata lojtarë që nuk janë kujdesur për veten, do ta kenë vetë të vështirë kur të nisim punën. Por e di që kam një grup profesionistësh dhe besoj se i kanë zbatuar më së miri porositë që u kam dhënë. Të presim së pari vendimin, që nëse vonohet edhe pak, mund të qëndrojmë më shumë në Shqipëri dhe më pas të nisemi për të vijuar përgatitjet jashtë. Por kjo është e kotë të diskutohet në këtë moment, kur të gjithë po presim lajmin e madh, që shpresoj dhe besoj shumë se do të vijë në favorin tonë. Ky është limiti i kohës”.
FIRMA – Trajnerit Ilir Daja i ka përfunduar kontrata në fund të sezonit, por ai edhe dje e ka thënë troç se firma me Skënderbeun është thjesht formalitet: “Me presidentin Ardjan Takaj kam komunikuar në telefon. Dua të them se, sipas asaj që më ka thënë, avokatët kanë dhënë garancinë maksimale që Skënderbeu do të luajë në Champions dhe pritet vetëm përgjigja zyrtare. Por duhet zbardhur, prandaj duhet të presim.
“Firma ime me Skënderbeun? Unë dhe presidenti Takaj nuk ngutemi. Mbetet për tu parë në dinamikë zhvillimi i kësaj situate, për të parë projektin e së ardhmes, por parimisht të gjithë tashmë e dinë që kemi rënë dakord. Firma është thjesht çështje formale, pasi unë do të jem i Skënderbeut. Lajmet që vijnë nga Vlora? Nuk mendoj që janë pjesë e shqetësimit këto lajme që kam dëgjuar. Për mua duket se më vlerësojnë shumë edhe ata që më kërkojnë, por jam pjesë e një projekti të Skënderbeut, ku kam arritur edhe sukseset më të mëdha”, – ka përfunduar trajneri i korçarëve, Ilir Daja.