Trajneri i ekipit bardhekuq vlerëson faktin që lojtarët gëzojnë një formë të mirë dhe grupi është përgjigjur si duhet në fushë
Pas tri miqësoreve ndaj Bursasporin, Beshiktashin dhe Vitorulin, trajneri Ilir Daja u shpreh me nota pozitive për të tijtë, pavarësisht rezultateve. Të njëjtën gjë ka thënë edhe mbrëmë numri 1 i stolit bardhekuq, pas fitores ndaj Aktobes. Ai thekson se nuk i interesonte aspak rezultati, por loja e ekipit, që sipas tij, ishte në nivelin e kërkuar.
Ja si u shpreh trajneri i korçarëve pas miqësores së fundit turke: “Jam i kënaqur me këtë test të fundit. Ekipi është përgjigjur mirë në fushë dhe pavarësisht ngarkesave, ka treguar se gëzon një formë të mirë. Pjesën e parë, kur ekipi ishte më i plotë në fushë, u shpreh shumë mirë. Arritëm jo vetëm të shënonim gol, por edhe të dominonim lojën, duke krijuar disa raste të mira. Në pjesën e dytë bëmë zëvendësime të shumta dhe ekipi ka funksionuar përgjithësisht mirë. E kemi fituar këtë takim dhe është diçka pozitive, edhe pse nuk është se na intereson shumë rezultati, por loja. Mbyllim fazën në Antalia, që besoj se ishte në momentin e duhur dhe na ka shërbyer për mirë. Sapo të kthehemi në Shqipëri, do të nisim mikrociklin e kampionatit, në mënyrë që të jemi gati për ndeshjen e parë. Ndaj Luftëtarit do të mundohemi të jemi gati, edhe pse do të na duhet edhe pak kohë për të qenë në 100% të formës sonë”.
Daja i ka bërë komplimente edhe skuadrës kundërshtare: “Luajtën shumë mirë, krijuan shumë raste dhe do kishin fituar, po të mos ishte për formën e shkëlqyer të portierit tonë, që na shpëtoi disa herë”.