Trajneri i Skënderbeut theksoi në konferencën për shtyp se skuadra e tij ka forca të përballet denjësisht me çdo kundërshtar…
Në konferencën për shtyp, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ukrainas. Mes të tjerash, ai ka thënë se të tre kundërshtarët në Grupin B janë më të fortë se ekipi që drejton, por ka garantuar se Skënderbeu do të bëjë çdo përpjekje për t’u përballur denjësisht me ta.
“Kjo është ecuria jonë më e mirë në një kompeticion evropian. Natyrisht, Dinamo është favorite, por edhe ekipet e tjera, që janë në grup me ne, janë gjithashtu më të forta se ne. Sidoqoftë, do të përpiqemi të fitojmë disa ndeshje, sepse kemi përvojë europiane tashmë”, – theksoi mes të tjerash trajneri Daja.
– A ju kujtohen ndeshjet miqësore me Dinamon gjatë fazës përgatitore? Mund të bëni një krahasim me Dinamon e tanishme?
– Nuk e kam trajnuar unë Skënderbeun në atë kohë. Kapiteni ynë mund t’i përgjigjet pyetjes suaj, por mendoj se ndeshjet miqësore nuk mund të krahasohen me ato zyrtare, që kanë një nivel shumë më të lartë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për ndeshje të grupeve të Europa League.
– A keni mungesa për ndeshjen, për shkak dëmtimesh apo skualifikimesh?
– Na mungojnë dy lojtarë nga grupi që ka luajtur në ndeshjet e mëparshme. E kam fjalën për Latifin, i cili është larguar për në kampionatin hungarez, por kemi edhe një lojtar të skualifikuar, Nimagën, i cili është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen me Dinamon e Zagrebit. Për këtë ndeshje mund të kemi edhe ndonjë mungesë tjetër, por nuk do të doja t’i zbuloja të gjitha “kartat” e lojës sonë.
– Këtë sezon ekipi juaj ka luajtur tashmë 10 ndeshje, 8 prej të cilave në Europa League. A mund të konsiderohet ky një faktor pozitiv për ju?
– Mendoj se jemi tani në një moment të mirë të lojërave, në saj të ndeshjeve në Europa League dhe në Kupën e Shqipërisë e kampionat. Nuk kemi pasur mundësinë të pushojmë dhe tani jemi në gjendje të mirë.
– Ekipi juaj ka befasuar, duke eliminuar Dinamon e Zagrebit. Çfarë rezultati prisni? Çfarë detyrash i keni dhënë ekipit?
– Ndeshjet në grupet e Europa League janë shumë më të komplikuara dhe të vështira se ato të kampionatit. Të gjithë ekipet që marrin pjesë në këtë fazë janë të fortë. Do të jetë e vështirë, por do të bëjmë çdo përpjekje për të luajtur denjësisht me çdo kundërshtar. Këtë do të bëjmë edhe me Dinamon.