Trajneri i njohur shkodran flet për gjithçka, nga kampionati te ofertat që i kanë ardhur në janar, por flet edhe për zgjedhjet
Trajneri i njohur shkodran, Armando Cungu, është ende pa ekip që prej largimit nga Vllaznia, edhe pse ka pasur disa oferta javët e fundit, të paktën sipas asaj që deklaron vetë ish-trajneri i Vllaznisë. Në “Zona Gol” në Supersport Cungu flet për kampionatin shqiptar, për merkaton e janarit dhe për ofertat që ka pasur, duke zbuluar se e ka kontaktuar një klub që ka një trajner të njohur në drejtim, por nuk e thotë emrin. Ndërkaq, Cungu tregohet i ashpër me ndërhyrjet e politikës në zgjedhjet për kreun e FSHF-së.
Merkatoja e janarit – “Jo pak ekipe nuk arrijnë të kompzojnë grupin siç duhet në verë dhe mundohen të rregullojnë gjërat në janar. Merkatoja e janarit nuk është e duhura për të rregulluar problemet e skuadrës, është shumë e vështirë dhe koha nuk është e mjaftueshme, por ndonjë lojtar i veçantë edhe mund të gjendet”.
Superiorja – “Mjafton të shohësh renditjen dhe nuk ka nevojë për komente. Vllaznia është në vështirësi, megjithëse falë ndryshimeve që bëri Partizani, Vllaznisë iu krijua mundësia për të kapur individë të rëndësishëm. Mund të jenë edhe Teuta e Luftëtari, fundi i tabelës është i ndërlikuar”.
E shkuara – “Si futbollist kam pasur oferta dhe më ka kërkuar Sulejman Mema te Tirana, por kam preferuar t’i qëndroj besnik Vllaznisë. Jo gjithçka arrihet duke luajtur në Tiranë”.
Partizani, ofertë si trajner? “Ofertë zyrtare asnjëherë, edhe pse interesime e kontakte indirekte ka pasur”.
Oferta në janar? “Trepça e para, por ishin edhe dy klube të Superiores, më telefonuan drejtuesit e dy klubeve shqiptare. Njëri prej klubeve drejtohet nga një emër i njohur, që ka pasur sukses edhe në Europë. Skënderbeu? Nuk mund të flas për emra të përveçëm. Në janar u takova me Takajn, por ishte edhe presidenti i Trepçës ’89 dhe më ofruan stolin e skuadrës nga Kosova, jo të Skënderbeut, ndonëse ashtu u interpretua ai takim dhe për këtë arsye mora në telefon edhe trajnerin Ilir Daja për ta sqaruar si ishte e vërteta. Kam preferuar të refuzoj ofertat sepse objektivat që kishin klubet që më kontaktuan ishin paksa jashtë realitetit dhe nuk dëshiroja që të nisja punë, të merrja dy rroga dhe ndoshta më pas të braktisja gjithçka, të mos lë gjurmë apo të krijoj polemika”.
Zgjedhjet në FSHF – “Po shoh debate të ashpra, po shoh shumë politikë në brendësi, por them vetëm që duhet të lënë sportin që të punojë i qetë. Nuk mund ta kuptoj pse flitet për gjëra të tilla, burgu, e të tjera, në një kohë që personalitetet e sportit japin gjithçka për ta çuar futbollin përpara. Politika duhet të ndihmojë futbollin si e ka ndihmuar deri tani, me investime, por është e papranueshme që të tentojë ta zaptojë, ta gllabërojë”.
Armando rrespekte per ty si sportist dhe si njeri korrekt! Do kishe ba mir Te flisje pak per realitetin tek Vllaznia . Sa per politizimin e futbollit ti e di mir Se Vllaznia eshte dhe Po masakrohet nga politika dhe militantet e saj !