Lojtarët e Kombëtares U-19, të cilët aktivizohet në klubet e kampionatit shqiptar, janë ftuar nga trajneri Armando Cungu në një seleksionim që do të zhvillohet ditën e enjte në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Tekniku kuqezi pritet të ketë në dispozicion lojtarë të vitlindjes 2004, të cilët kanë qenë edhe në grumbullime të mëparshme, por edhe që vijnë nga ekipet Kombëtare të moshave më të vogla.
Sipas teknikut, do të shikohet edhe mundësi për të pasur në seleksionim ndonjë element që aktivizohet jashtë, por kjo mbetet për t’u parë nëse klubet i lejojnë që të jenë pjesë e këtij seleksionimi. Për trajnerin Cungu, këto seleksionime janë teste mjaft të mira për lojtarët dhe për stafin teknik në mënyrë që të bëhen vlerësime të përditësuara për nivelin ku ndodhen lojtarët e kësaj grup-moshe.
“Ne po përpiqemi të shfrytëzojmë çdo datë e mundësi për të pasur lojtarët, të paktën ata të kampionatit shqiptar, për t’i testuar, vëzhguar dhe për të vlerësuar ecurinë e tyre si edhe gjendjen momentale. Sigurisht, jemi të hapur për të pasur në seleksionim edhe ndonjë element interesant nga jashtë, kuptohet nëse kanë mundësi të marrin leje nga klubet dhe të jenë të gatshëm t’i bashkohen grupit. Do të jenë rreth 48 lojtarë të vitlindjes 2004 të ftuar.
Shpresoj të marrim maksimumin nga seleksionime të tilla, sepse vërtetë janë shumë të vlefshme për të konsoliduar grupin dhe për t’u dhënë mundësinë elementeve të reja që të tregojnë cilësitë e tyre. Përtej seleksionimeve ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë futbollistët që janë në listën e madhe, duke i monitoruar javë pas jave dhe duke ndjekur zhvillimin e tyre si futbollistë”, – tha Armando Cungu duke folur për Fshf.org.
Përveç testeve fizike e taktike, në këtë seleksionim do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit. Ky është seleksionimi parë për këtë vit i Kombëtares U-19, ndërkohë që seleksionime të ngjashme kanë zhvilluar edhe ekipet Kombëtare U-17, U-16, U-15 dhe U-18.