“Të ngjitesh në majë është e vështirë. Të qëndrosh në majë, edhe më e vështirë”.
Ky parim vlen edhe për Kukësin. Vite me radhë me investime nga më të rëndësishmet në futbollin shqiptar, por gjithmonë probleme me menaxhimin e lojtarëve dhe situatave.
Ndodhi pas titullit të parë kampion dy edicione më parë, me kontratat e lojtarëve më të rëndësishëm. Largimi i Enea Koliçit sapo nisi aventura europiane apo situata me Sebino Plakun, i afruar si përforcim në Champions League dhe u gjobit më vlerën e rrogës, që do paguhej sepse humbi avionin. Në mes janë situatat me shpërblimin e ish-trajnerit kampion Gjoka apo kontrata e brazilianit Kale.
Tani sërish me Stivi Frashërin. Portieri shkaktoi 11-metërsh në Champions ndaj Karabakut. Dënimi: gjobë me pagën mujore dhe pezullim nga ndeshja e kthimit me Torpedo Kutaisin në Europa League. E pakuptimtë, për një episod, që mund t’i ndodhë kujtdo. Janë situata loje, të cilat u kanë ndodhur edhe më të mëdhenjve të këtij sporti.
E vështirë të gjesh një argument logjik, përse skuadra vetë-dëmtohet përpara finales së parë të sezonit. Në transfertën në Gjeorgji te Kukësi u ankuan se rivalët përdorën metoda, që nuk kanë lidhje me futbollin, për t’i dobësuar dhe për të fituar. Për atë ndeshje u humbën shërbimet e Ethemit dhe Malikit, ndërsa blutë humbën 5-2.
Tani kur vjen shansi t’i kenë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe për të provuar përmbysjen e madhe, te Kukësi zgjedhin vetë të privohen nga një lojtar. Nga portieri titullar. Në futboll thuhet shpesh se, portieri i mirë është gjysma e ekipit. Të enjten në Elbasan do të shihet nëse kjo do të peshojë.
Por edhe nëse arrihet në fazën “play-off” veri-lindorët duhet të kuptojnë se me gjoba, duke krijuar pakënaqësi te lojtarët dhe me këtë lloj atmosfere është e vështirë të shkohet larg. Edhe nëse e nis sezonin si pretendent.