Kristjan Asllani nuk po gjen te Interi atë çfarë i ishte premtuar në merkato. Mesfushori shqiptar u vesh zikaltër për të qenë një alternativë e dytë e Brozoviçit, por Inzagi ka preferuar të tjerë edhe kur kroati ka qenë i dëmtuar. Minutat e dhëna nuk e kanë kënaqur 20-vjeçarin, i cili i ka kërkuar drejtuesve largimin në janar.
Ofertat për të nuk kanë munguar. “FcInterNews.it” ka zbuluar se Specia, Empoli dhe Torino kanë trokitur në derën e Interit për shërbimet e mesfushorit shqiptar. Megjithatë zikaltrit nuk janë tunduar dhe përgjigja ka qenë menjëherë “jo”. Interi e konsideron pjesë të rëndësishme të projektit të tij, por nga ana tjetër Inzagi vazhdon ta lërë në stol. Trajneri italian nuk i dha asnjë minutë Asllanit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Fiorentinës. Mbetet për t’u parë se si do të vazhdojë situata e tij në Milano./Sport Ekspres/