Artur Magani është vetëm 23 vjeç, por ka kaq shumë eksperiencë, saqë mund të quhet veteran dhe në Kosovë ia panë mirë cilësitë, pas paraqitjeve të mira dhe golave te Liria.
Para pak javësh i biri i Gugash Maganit firmosi dhe u prezantua te Feronikeli, por duket se ka qenë një kontratë fiktive, që nuk ka fuqi ligjore, përderisa Magani ka dalë në stërvitje me Partizanin.
Klubi i kuq nuk ka bërë ndonjë njoftim nëse ka firmosur me futbollistin, por sulmuesi do të ishte shumë i nevojshëm për ndeshjet në Europa League. Më pas nuk dihet, ndoshta kthehet te Feronikeli, që ende nuk ka reaguar për këtë “tradhti” dhe ndoshta ia ka dhënë vetë lejen për t’u kthyer në Shqipëri. Gjithsesi, Magani firmosi për rreth 2500 euro në muaj me skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, ndaj duket qartë që nëse kthehet në Superiore, e bën për të paktën diçka më shumë dhe për garancinë se do të luajë rregullisht.