E pabesueshme: nga objekt humori, Benevento është bërë një skuadër dinjitoze, për t’u parë seriozisht, që e mbylli vitin me fitoren e parë në kampionat dhe e ka nisur sërish me fitore. Sot e pati radhën Sampdoria të kapitullonte, duke u mundur 3-2, në një sfidë të çmendur.
Kaprari shënoi për gjenovezët në fund të pjesës së parë dhe u duk se Benevento u dorëzua, por heroi i fitores së parë sezonale, sulmuesi Masimo Koda, duket se është zgjuar nga letargjia, sepse në minutat 69 e 84 shenoi dy gola.
Në minutën e 82-të Sala i Sampdorias doli me karton të kuq, duke ia lehtësuar misionin Beneventos, që shënoi golin e tretë në shtesë me sulmuesin 18-vjeçar Brinjola, goli i parë si futbollist profesionist për djaloshin që vjet thuajse nuk e pa fushën në Serinë B.
Në minutën e 94-t Kovnacki shkurtoi për Sampdorian, por nuk mjaftoi për të prishur festën e Beneventos, që shkon në kuotën e 7 pikëve dhe tashmë mund të nisë të ëndërrojë.
Titullarë edhe Berat Gjimshiti e Ledian Memushaj: i pari luajti si mbrojtës i djathtë dhe vuajti në atë pozicion, ndërsa Memushaj u paraqit më mirë, duke marrë notën 6 e lart në mediat italiane.