Flamurtari i këtij sezoni ka qenë mjaft solid në fazën mbrojtëse dhe jo rastësisht ka mbrojtjen më të mirë në Superiore. Megjithatë, trajneri Shpëtim Duro kërkon një mbrojtës niveli dhe pret nëse do të dalë ndonjë okazion i mirë, sepse kërkon vetëm lojtar cilësor, të aftë të luajë në formacion. Një emër që tërheq dhe plotëson kriteret është ai i ish-mbrojtësit të Partizanit, Ardian Cuculi.
Ylli i Shkëndijës njihet mirë me Shpëtim Duron, i cili ia ka bërë me kohë ftesën, por Cuculi e ka refuzuar me synim të qartë fitimin e titullit të Shkëndija.
I ftuar të hënën në mbrëmje në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, Cuculi u përgjigj në lidhje me këtë çështje: “Nuk mund të them për momentin asgjë. Ndihem shumë mirë te Shkëndija e Tetovës. Kemi një detyrim ndaj vetes dhe ndaj të gjithëve në atë klub për ta shpallur kampion. Më pas nuk i dihet se çfarë do të ndodhë. Te Flamurtari unë kam shumë miq, ku përveç trajnerit, janë edhe disa futbollistë që kanë luajtur me Shkëndijën në Maqedoni. Por, siç e thashë, ndihem mirë te Shkëndija”.
Nëse fiton titullin me Shkëndijën këtë sezon, Cuculi me shumë gjasa do të pranojë ofertën e Flamurtarit verën e ardhshme.