Mirel Josa ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Universitatea Craiova-s. Trajneri i Vllaznisë tregon se skuadra e tij është në gjendjen e duhur për këtë përballje dhe ekipi i është përgjigjur në mënyrën e duhur. Josa e ka caktuar tashmë formacionin që do të hedhë në fushë kundër rumunëve. Kreu i pankinës shkodrane ndalet gjatë fjalës së tij edhe te kundërshtarët, të cilët i vlerëson së tepërmi për historinë që kanë në futbollin në Rumani.
“Jam i sigurt që Vllaznia është në gjendje optimale për këtë sfidë. Zhvillimi i ndeshjes për turin e dytë të Ligës së Konferencës na ka bërë mirë, sepse kemi pasur kohë më shumë për t’u përgatitur. Kemi pasur pushimin e duhur. Të gjithë duan pushimin e duhur për t’u përgatitur për fazën përgatitore.
Nuk kam pasur shumë gjëra për të ndryshuar, sepse ekipi më është përgjigjur. Kemi problemin e Latifit, të cilin do ta sjellim në gjendjen e duhur ngadalë. Lojtarët e dinë se cili do ta nisë nga fillimi dhe cili do të jetë i gatshëm. Universitatea Craiova është një kundërshtar që është me histori në futbollin e Rumanisë. Unë e mbaj mend kur kam luajtur vetë kundër Dinamos së Bukureshtit. Kanë qenë tre skuadrat e para së bashku me Steauan.
Shoh një infrastrukturë shumë të mirë. Ka një president që e njeh futbollin dhe kjo është anë pozitive në skuadër. I kemi parë ndeshjet e kësaj skuadre. I kam ndjekur edhe lojtarët në mënyrë individuale. Por mua më intereson çfarë do të bëjë skuadra ime. Craiova ka luajtur vjet kundër Laçit dhe ky fakt ne nuk na favorizon, sepse do t’i marrin masat ndryshe“, ka deklaruar Mirel Josa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/