Legjenda gjermane e futbollit, Jens Lehman, ka konfirmuar faktin se ka qenë i infektuar me pandeminë Covid-19. Ish-portieri i Arsenalit ka rrëfyer se e ka fituar betejën me Koronavirusin, por i habit të gjithë duke thënë se ishte më i lehtë se gripi i zakonshëm.
Për një ditë e gjysmë 50-vjeçari ka shfaqur simptomat e kollës dhe ethe të lehta, ndërsa pas dy javësh ka rezultuar i pastër nga virusi që ka izoluar mbarë botën. Ndërkohë Lehman dëshiron që jeta së bashku me futbollin të rifillojnë sërish. Madje për këtë të fundit është i mendimit që të luhet nën praninë e tifozëve. Një tifoz në çdo 4 ulëse është hipoteza e tij, që do të sillte edhe atmosferë në stadium por njëkohësisht do të ruhej edhe distanca e nevojshme për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
“U infektova në mes të marsit. Pata kollë dhe ethe të lehta për një ditë e gjysmë. Pas dy javësh në karantinë autoritetet deklaruan se isha i shëndetshëm sërish. Mu duk më i lehtë se gripi i zakonshëm. Por personat në rrezik sigurisht që duhet të jenë të kujdesshëm. Me shumë mundësi jetesa e shëndetshme ndihmon në këtë situatë. Kampionati? Nëse tifozët do të zënë 1 ulëse në çdo 4 të tillë, atëherë ka mjaftueshëm distancë mes njerëzve. Kushdo që thyen distancën sociale do të nxirret jashtë dhe do të ndalohet të hyjë në stadium. Duhet të ngremë lart Gjermaninë dhe të lëvizim sërish, ështu ekonomia do i mbijetojë krizës. Kjo vlen për të gjitha degët e biznesit, duke përfshirë edhe Bundesligën”, është shprehur Jens Lehman./Halit Delibashi-Sport Ekspres/