Specialisti i futbollit italian, Massimo Mauro, ka komentuar gabimin e bërë nga arbitri në ndeshjen Inter-Atalanta. Kjo ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë përfundoi në shifrat 2-0 falë golave të Dumfries.
Por goli i tij i parë erdhi nga një goditje këndi e cila u fitua padrejtësisht nga Interi. Topi nuk u prek nga asnjë lojtar i Atalantës, megjithëse më të rëndësishmit, arbitrat, e menduan ndryshe. Një gabim i vogël në dukje dhe që rezultoi vendimtar. Sipas Massimo Mauro, Conte kishte të drejtë, VAR duhet të ndërhyjë edhe kur një korne jepet gabimisht pasi mund të vendos ndeshjen.
“A e shikoni se përse jemi pro ndërhyrjes së VAR në këto raste? Arbitri gaboi, i dha korne Interit, por u kthye në gabim vendimtar pasi aty u zhbllokua ndeshja. Gabim i arbitrit, por VAR duhet të ndërhyjë. Para një muaj Conte bëri një fjalim për këtë dhe unë jam shumë dakort me të. Përse nuk e humbisni një minutë dhe të shihni nëse goditja e këndit ishte e rregullt? Do të evitojmë një gol të parregullt”, tha Mauro. /Sport Ekspres/