E kishte thënë Armando Cungu, por ndoshta pa qenë asnjëherë i drejtpërdrejtë, ndaj ata që nuk e dinë çfarë bëhet në Shkodër nuk kanë kuptuar: te Vllaznia ka presione të jashtëzakonshme, që shkojnë shumë më larg se thjesht kërkesë tifozësh për rezultat, sepse bëhet fjalë për kërcënime dhe kërkesa absurde.
Tani edhe trajneri Ernest Gjoka po provon mbi kurriz hallet që kishte Cungu dhe sipas “shkodra.news” trajneri i cili fitoi titullin kampion vjet është kërcënuar ditët e fundit, me mesazhe apo telefonata. Një situatë skandaloze, me trajnerin që ka njoftuar klubin dhe më pas është njoftuar policia.
Për pasojë, një furgon policie i forcave Shqiponja kanë shoqëruar Vllazninë në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe më pas kanë qëndruar gjatë stërvitjes për 1 orë e 30 minuta. Nga aty policia është zhvendosur tek stadiumi “Loro Boriçi” ku Vllaznia ka bërë nisjen drejt Barbullushit ku ndodhet e grumbulluar deri nesër ku do ketë ndeshjen me Kamzën. Vllaznia është shoqëruar deri në Barbullush dhe pasi ekipi është akomoduar efektivët janë larguar.
Pak rëndësi kanë arsyet e kërcënimeve, sepse është e qartë që në Shkodër nuk është problem kryesor mungesa e lojtarëve dhe rezultateve, por është problem vetë Shkodra dhe njerëzit aty.